Mbyllet dosja e konsullit në Athinë
TIRANE – Njësia Task-Force kundër krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës pushoi hetimet dhe mbylli dosjen penale ndaj konsullit shqiptar në ambasadën tonë në Athinë, Ilirian Çukaj. Pas pesë muajsh hetime të zhvilluara, Task-Force ka vendosur të pushojë çdo hetim dhe akuzë, si dhe të mbyllë dosjen penale, e cila bënte fjalë për një episod të dyshuar se ka ndodhur në ambasadën shqiptare në Athinë, ku zyrtarë të saj u akuzuan nga një nënshtetas shqiptar se kishin marrë 2 mijë euro ryshfet për t’i shtyrë afatin e pasaportës. Argumenti me të cilin është mbyllur dosja është ende i paqartë, megjithatë burimet zyrtare konfirmojnë se tashmë për skandalin që dyshohet se ka ndodhur në ambasadën shqiptare në Athinë, nuk ka asnjë hetim. Procedimi penal, sipas burimeve të Prokurorisë së Tiranës është pushuar për mungesë provash, të cilat e bënin të pamundur vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve për këtë çështje. Në maj 2008, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit paraqitën në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal kundër konsullit shqiptar në Athinë. Kallëzimi i referohej një episodi të ndodhur brenda ambasadës shqiptare në Athinë, ku nënshtetasi shqiptar Aristidhi Konomo kishte hyrë bashkë me një agjente të policisë greke dhe në prani të saj kishte paguar 2 mijë euro ryshfet për shtyrjen e afatit të pasaportës. Vetë emigranti menjëherë pas ngjarjes firmosi një deklaratë ku mohoi dhënien e ryshfetit, por kur u pyet më pas nga oficerët e dërguar nga Tirana në Athinë për të bërë hetime, ai denoncoi dhe pranoi se kishte paguar ryshfet për shtyrjen e afatit të pasaportës.