Grabitet me armë pika e karburantit
LUSHNJE – Të pamaskuar, por të armatosur kanë grabitur të gjitha paratë që ndodheshin në një pikë karburanti. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:30 të ditës së djeshme në një pikë karburanti në Savër të Lushnjës. Sipas policisë, në këtë orë dy persona kanë ndaluar automjetin pranë këtij karburanti dhe nën kërcënimin e një arme tip “kallashnikov” kanë urdhëruar punonjësin e turnit t’u jepte gjithë paratë e fituara nga xhiroja. I ndodhur nën presionin e grabitësve, punonjësi nuk ka mundur të bëjë asnjë rezistencë dhe u ka dorëzuar atyre gjithë paratë që kishte nën banak që kapnin shumën e rreth 60 mijë lekëve. Pasi kanë marrë paratë dy grabitësit janë larguar me shpejtësi me automjetin që e kishin parkuar pranë karburantit. “Ishin pa maska dhe po t’i shikoj mund t’i identifikoj”, mësohet të ketë thënë për forcat e policisë, punonjësi i karburantit. E sinjalizuar më pas policia e Lushnjës është vënë në lëvizje për ndalimin e grabitësve duke ngritur postblloqe. Mësohet se deri në orët e vona të mbrëmjes kapja e tyre nuk ishte bërë e mundur. m.r