E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Përgatituni për rezistencë të gjatë,Beqja: Kemi marrje mendsh, lexojmë libra



Erald Kapri

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u bën thirrje protestuesve të opozitës të përgatiten për rezistencë të gjatë. Në ditën e tretë të protestës, kreu i opozitës Rama ka paralajmëruar përshkallëzim të protestës e grevës së urisë. Dje pasdite opozita organizoi një miting para çadrave ku ndodhen 200 grevistët e opozitës, nga ku Rama deklaroi se beteja e nisur mund të jetë e gjatë nëse kreu i Qeverisë Berisha nuk reflekton. “Përgatituni për të rezistuar, sepse beteja jonë mund të jetë e shkurtër në rast se Sali Berisha do të reflektojë shpejt, po mund të jetë dhe e gjatë, në rast se reflektimi do të vonojë. Dhe në këtë greve urie të vërtetë, gjithçka mund të ndodhë me ata që janë brenda, jo vetëm asnjë krevat nuk do të mbetet bosh, por një do të dalë, pesë do të hyjnë”, deklaroi Rama. Ai i bëri thirrje policisë dhe forcave speciale që të mos shpërdorojnë detyrën. “Të mos e shkelin atë uniformë për asnjë tekë që mund të lindë në mendjen e një pushteti të çoroditur, i cili mund të bëjë shumë veprimeve të dëshpëruara. Forcat speciale nuk janë për të sulmuar deputetët”, tha Rama. Ai iu përgjigj edhe shqetësimit të Policisë për pengimin e trafikut duke thënë se “përgjigjem në cilësinë e atij që drejtoj Tiranën dhe i përgjigjem se ne jemi këtu për të hapur rrugën e demokracisë”. Kreu i PS-së hodhi poshtë akuzat se protestuesit kane djegur flamurin e NATO-s, duke e cilësuar këtë një manipulim. Në fjalimin e tij prej 30 minutash para protestuesve, Rama nuk kurseu akuzat ndaj Partisë Demokratike dhe liderit të saj Berisha. “Vetëm demokrat në shpirt nuk është sepse shpirti i tij është shitur tek djalli, i cili ka mbetur që nga koha e Enver Hoxhës kur çonte në internim njerëz të pafajshëm për të ngjitur shkallët e pushtet”, akuzoi Rama kreun e Qeverisë ndërsa Partinë Demokratike e cilësoi si mbartëse të vlerave negative të diktaturës komuniste. Në fjalën e tij kreu i PS-së theksoi se protesta nuk po bëhet për marrje pushteti. Sipas tij, “kjo përpjekje, kjo betejë nuk është përpjekja dhe beteja e një partie politike për të marrë pushtetin, por e një populli që është goditur në ëndrrat dhe shpresat duke i mohuar drejtpërdrejt për të investuar tek këto ëndrra, si ç’do demokraci investon tek kutia e votimit”. Në fund të fjalës së tij Rama komentoi edhe koncertin e 1 Majit të organizuar nga Qeveria duke thënë se “sot në Shqipërinë ku Qeveria feston 1 Majin, gjysma e krahut të punës është e papunë, gjysma e popullit nuk punon dot. Festohet për të mbuluar gjithë këto plagë, këto halle e probleme, me festa njësoj si në regjime diktatoriale: festa, dru, uri”.

Rroskovec, kurora dhe tufa me lule në nderim të të ndjerit
Protestë në njëvjetorin e vdekjes së Xhindit, Ruçi: Vrasje politike

Përkujtohet njëvjetori i vrasjes së ish-deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Familjarë, politikanë dhe dhjetëra qytetarë, banorë të Rroskovecit kanë vendosur kurora dhe tufa me lule në nderim të të ndjerit, pranë varrit të tij në fshatin Kurjan të Rroskovecit. I pranishëm në këtë ceremoni, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, tha se kjo është një vrasje politike. “Një vit sot që kur miku ynë, vëllai ynë, pjesëtari i familjes sonë politike, humbi jetën si shkak i dorës vrastare. Babai i fëmijëve, bashkëshorti, djali i një nëne, djali i qytetit të Fierit dhe i të gjithë Shqipërisë, sot nuk është më pikërisht për këtë arsye. Pushteti i sotëm hesht, një shurdhërim që flet dhe të gjithë e shohim. Kjo vrasje ka një emër dhe ky emër është veçse, vrasje politike”, ka deklaruar Ruçi në fjalën e tij. I ashpër ka qenë edhe reagimi i familjes Xhindi në këtë ceremoni përkujtimore. Vëllai i deputetit të vrarë, Ilir Xhindi, u shpreh se mungesa e elementëve që çojnë në zbardhjen e vrasjes, edhe pse ka një vit që ka ndodhur, është tregues i qartë se kjo është bërë nga shteti shqiptar. Familja e Fatmir Xhindit gjatë ditës së djeshme ka hartuar një letër të hapur, drejtuar krerëve më të lartë të shtetit, si dhe Kryeprokurores Ina Rama, ku kërkohet zbardhja sa me parë e vrasjes së familjarit të tyre. “Ndjehemi moralisht të rënë, dëshpërimisht të rënë. Kërkojmë zbardhjen e kësaj vrasjeje dhe autorin e saj, në të kundërt kjo heshtje, ky dështim do të na japë të drejtën të vëmë gisht e të themi se vrasësi mund të jetë dhe vetë shteti. Me një letër tjetër të hapur i kërkojmë shtetit të zbardhë çështjen se ky është një makth që rëndon mbi të gjithë dhe një vrasje që prek si autorë të gjithë. Prandaj e kemi thënë e vazhdojmë ta themi që kjo vrasje duhet të zbardhet patjetër”, ka deklaruar Ilir Xhindi.

Seseri: Qeveria është e paaftë, duhet të largohet
Deputetja socialiste Rudina Seseri tha dje se Qeveria aktuale është e paaftë dhe ajo duhet të largohet. Sipas saj, Qeveria nuk ka ç’i ofron më shqiptarëve. “Vendi ynë i ka të gjitha mundësitë për të njohur votën e lirë dhe për të qenë një vend me ekonomi të zhvilluar. Me kusht që të menaxhohet mirë, me njerëz të aftë, me misionarë të ekonomisë së tregut, që nuk janë peng e të kaluarës së tyre komuniste. Qeveria e sotme ka dëshmuar që është e pa aftë në përmbushjen e këtyre kritereve, dhe vazhdon të besoj si dikur gjatë periudhës komuniste, se gjithë bota duhet të marrë shembull prej asaj, duke harruar se këtë përrallë nuk e beson më askush, as brenda e sa jashtë vendit. Prandaj kjo Qeveri e paaftë, duhet të largohet”, u shpreh Seseri gjatë fjalës së saj para çadrës të grevës së urisë.

Beqja: Kemi marrje mendsh, e kalojmë kohën duke lexuar

Aristir Lumezi

Deputeti socialist i qarkut të Shkodrës Ilir Beqja tregon jetën në çadrën ku 200 deputetë e mbështetës të PS po vijojnë grevën e urisë. Beqja shprehet se gjendja e tyre shëndetësore është e kënaqshme, ndërsa komenton dhe koncertin e PD ditën kur ata kishin nisur grevën e urisë.
Zoti Beqja, afër 48 orë pas nisjes së grevës së urisë, si është momentalisht gjendja e përgjithshme e pjesëmarrësve në të?
Personalisht kanë filluar shqetësimet e para, që janë dhimbje koke, dhe pak marrje mendsh. Pjesa tjetër është mirë, vazhdon të mbahet dhe nuk ka ankesa të veçanta. Pranë nesh ka një ekip mjekësor që kujdeset dhe në mënyrë periodike, çdo tre orë kryhen vizitat e nevojshme. Në përgjithësi shokët e tjerë nuk kanë ndonjë problem, me përjashtim të 2-3 vetëve që kanë probleme shëndetësore si diabeti. Pjesa tjetër ka pasur rënie tensioni apo provokime të vjellash. Janë më shumë momentet e drekës, kur dhe temperatura është më e lartë kur krijohen këto çrregullime, ndërsa gjatë natës situata është më e qetë për shkak dhe të freskisë dhe situata përballohet më lehtë.
Cili është regjimi juaj ditor brenda 24 orëve dhe si i kaloni orët brenda në çadrën e grevës së urisë?
Përgjithësisht orët kalojnë me lexime, lexojmë gazetat, libra dhe me biseda me shokët. është interesant fakti që qytetarë të ndryshëm që mbështesin kauzën tonë, na kanë sjellë dje dhe sot libra nga biblioteka e tyre personale që ne të kemi për të lexuar. Në fakt nga mjekët që kujdesen për ne, kemi rekomandimin që të lëvizim sa më pak, në mënyrë që të harxhojmë sa më pak energji.
Si janë kushtet higjienike në tendë?
Për fat të mirë pjesa higjienike është e zgjidhur mirë, gjithnjë për kushtet e një greve urie e ngujuar në një çadër, ka rreth 10 bokse të veçanta për të kryer nevojat personale jashtë tendës, të cilat pastrohen çdo 2-3 orë.
Zoti Beqja, ju jeni vendosur në bulevard aty ku zhvillohen dhe fjalimet mbështetëse e ku qytetarë vijnë për t’u mbështetur e solidarizuar. Si vjen dhe si i përcillni ju aty brenda reagimet e qytetarëve?
Reagimi i qytetarëve me sa na thonë, është shumë inkurajues, pasi është e vështirë që t’i marrim direkt, sepse hyrja e tyre është e ndaluar po ashtu dhe dalja jonë është po ashtu e ndaluar. Më shumë marrim mesazhe telefonike mbështetëse. Vijnë familjarë që interesohen për ne që na sjellin dhe tesha për t’u ndërruar në mënyrë që të mbajmë sa më mirë higjienën tonë.
Orët e paradites janë më të qeta, ndërsa pasdite ka fjalime mbështetëse të politikanëve. Në një jetë të izoluar nga ambienti jashtë, ndikojnë këto në rritjen e entuziazmit dhe kurajës tuaj nga kjo atmosferë që krijohet?
Mbështetja që na bëjnë qytetarët e thjeshtë në bulevard në këtë sakrificë na bën edhe më të vendosur dhe më të qartë se vendimi që kemi marrë është ai që do të na çojë në arritjen e kauzës sonë, të zgjedhjeve të lira. Kjo mbështetje na bën më të vendosur se ata që janë jashtë çadrës. Ne jemi më të qetë dhe më të qartë.
Gjatë kohës që ju ishit në grevë urie, në çadrën ku jeni ngujuar vinin tingujt e koncertit të PD-së që festonte në sheshin ‘Nënë Tereza’. Si ndjeheshit në ato momente?
Zërat që mbërrinin tek ne tregonin për një aktivitet shumë të vakët dhe të shpëlarë, madje të shëmtuar. Zëri i personit që prezantonte ishte një mjaullimë dhe mesa kam parasysh dhe fjalën e kryeministrit, ishte shumë e shkurtër dhe si një qokë që duhej bërë. Ishte një gjë që nuk linte shije të mirë. Nga ne dihej se kishim të bënim me një anti-miting .
Ju thatë që një kohë të mirë gjatë ditës tuaj e zë leximi i gazetave. Si komentohet mes jush pasqyrimi i protestës dhe grevës tuaj të urisë nga gazetat?
Ajo që na shqetëson nga gazetat që pamë sot ishte sensi provokues dhe cinik i disa prej tyre në pasqyrimin e ngjarjeve të djeshme. Sigurisht unë nuk i paragjykoj ata që shkruajnë apo flasin në mënyrë të tillë, por kur je këtu brenda, nga pikëpamja njerëzore, ke një dimension tjetër me botën dhe të bezdis pjesa cinike e pasqyrimit. Duke e përjetuar këtu brenda me një emocion të veçantë këtë grevë, vërtet që të neveritet cinizmi i përdorur.

Rishfaqet Brokaj, mjeku i dy grevave të urisë

Grevistët kanë filluar të shfaqin shqetësimet e para dhe pse konsiderohet se pas 72 orësh grevë urie, problemet janë ende herët për tu evidentuar. Pranë deputetëve dhe grevistëve të tjerë, ishte dhe mjeku i njohur, Sabit Brokaj, kardiolog në profesion, një nga socialistët e vjetër të kësaj partie. Pasi ka ekzaminuar grevistët, ka folur me ta dhe me mjekët që i monitorojnë në çdo minutë, Brokaj tha se po shfaqen elementet e para të problematikës së një greve urie. “Janë vënë re çrregullime të diabetit, të ekuilibrit, dhimbje barku si dhe disa probleme. Natyrisht mund të ketë edhe më shumë shqetësime nga ato që paraqesin, pasi në aspektin moral ata mbahen aq mirë, aq fort saqë edhe maskojnë ndonjë shqetësim”, u shpreh Brokaj. Kardiologu i njohur mbahet mend dhe për përkujdesjen e tij dhe gjatë grevës së 10 deputetëve të LSI-së dhe PDK-së në nëntor 2008 për votën e lirë dhe kodin zgjedhor. Kreu i grupit të mjekëve që ndjekin hap pas hapi gjendjen e tyre, Sabit Brokaj, shprehu shqetësimin për fillimin e simptomave që shfaqen 72 orë pasi trupi i njeriut nuk konsumon ushqim. “Aktualisht kanë filluar simptomat e adaptimit në kushtet e vështira, luhatjet e tensionit, çrregullime të ekuilibrit të diabetit si dhe fenomene të tjera. Në aspektin moral mbahen mirë dhe fortë, gjithsesi kjo është situatë pa rreziqe, por mund të agravohet pasi dihet që pas 72 orësh fillojnë problemet që kanë risqe shëndetësore’, theksoi Brokaj.
Gjatë grevës së urisë së 10 deputetëve të LSI e PDK-së në nëntor 2008 Brokaj i kishte bërë apel PD dhe PS të gjenin zgjidhje politike për shkak se rrezikoheshin jetët njerëzore. “Tashmë, kërcënohet jeta e deputetëve tanë dhe kur kërcënohet jeta e deputetëve, e cilitdo njeriu, i cili është kërcënim i paralajmëruar, i njohur e i deklaruar, ata që nuk realizojnë zgjidhjen e krizës, tashmë kanë përgjegjësi. Kanë përgjegjësi, jo për një zgjidhje politike të thjeshtë, por për jetën e njerëzve. E ritheksoj edhe njëherë, që jeta e deputetëve është mjaft e kërcënuar që prej këtij momenti”, është shprehur Brokaj dy vjet më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›