E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zonat veriore, mangësi të mjekëve”



Zonat veriore kanë mungesë të mjekëve. Këtë problem ngritën përfaqësuesit nga rrethet gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Mjekut. Sipas tyre, në rrethe janë evidentuar shumë raste, ku mungojnë mjekët kryesorë si ata reanimator e deri tek mjekët e urgjencave, apo të familjes. "Në shume zona të vendit tonq, në periferi shërbimet mjekësore janë boshatisur nga mjekët. Jo vetëm nga specialistët, por janë boshatisur edhe nga mjekët e familjes, mjekët e përgjithshëm", u shprehën përfaqësuesit. Po kështu, standardet e punës që ofrojnë shumë mjekë lënë ende për të dëshiruar. Ndërkaq, u kërkua bashkëpunim me Urdhrin e Mjekëve për të realizuar standardet në sistemin shëndetësor. Kërkesa erdhi nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH). Tri ditë më parë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Mjekut, drejtoresha e ISKSH-së u shpreh se roli i Urdhrit të Mjekut është i rëndësishëm, sidomos sa i përket zbatimit të etikës nga ana e mjekëve në të gjitha nivelet e shërbimit. "Bashkëpunimi i drejtorive tona rajonale me strukturat e Urdhrit të Mjekut do t'i bëjë më efikase kontrollet tona", tha Elvana Hana. Ajo vlerësoi rolin pozitiv që ka luajtur Urdhri i Mjekut gjatë implementimit të reformës në shërbimin shëndetësor parësor. Gjithashtu Hana shprehu domosdoshmërinë e vijimit të bashkëpunimit me këtë institucion, në kuadër të reformës spitalore. Ndërsa presidenti i Urdhrit të Mjekut, Dine Abazaj, nënvizoi se, bashkëpunimi me strukturat e drejtorive rajonale të Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor do të rritë performancën e mjekëve". Po kështu do të mundësohet kontrolli i etikës profesionale, raportin mjek-mjek dhe mjek-pacient, duke ndihmuar për realizimin e standardeve në mjekësinë shqiptare, pa të cilat nuk do të ketë kuptim reforma e nisur në sistemin shëndetësor", tha Abazaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›