E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, si do jepen kuponët për studentët



zirina llambro

Mbështetet nga privatët, ndërsa universitetet publike janë skeptikë për mënyrën si do implementohet reforma e re. Skema e financimit me kuponë për studentët është ende në zanafillën e saj, ndonëse një grup pune në Ministrinë e Arsimit do të përzgjedhë një model të përshtatshëm. Gjithsesi, ajo çka dihet me siguri është se të gjithë krerët e shkollave të larta e mbështesin në parim, idenë e stimulimit me këtë formë burse për studentët më të mirë. Nga sa ka deklaruar disa muaj më parë ministri i Arsimit, Myqerm Tafaj, për të aplikuar skemën e re, vetë shkollat e larta duhet të përgatiten gradualisht. Ndërkohë ai ka nënvizuar se po studiohen disa modele e mes tyre do të përzgjidhet më i miri. Po kështu, pak ditë më parë kreu i konferencës së rektorëve, Dhori Kule, ka theksuar se parimisht shkollat e larta publike janë pro një skeme të re financimi, por implementimi i saj duhet studiuar dhe duhet bërë në mënyrën më të mirë. Këshilltari i Kryeministrit për arsimin, Bardhyl Musai, mbështetës i idesë për përdorimin e kuponëve si mjet publik financimi, shpjegon si do të funksionojë kjo skemë, përparësitë dhe mangësitë e saj. Përkundër këtyre argumenteve, nuk është vendosur ende nëse është ky modeli definitiv që do të ndiqet apo ndonjë tjetër.
Financimi me kuponë
Sipas Musait, parimi kryesor në përdorimin e sistemit të kuponëve është se ai nxit konkurrencë më të madhe midis ofruesve të shërbimit arsimor, përmes politikave mbështetëse drejtpërdrejt nga konsumatorët sesa nga shteti. Sistemi funksionon duke u dhënë studentëve nga një kupon, i cili ka një vlerë të caktuar për shpenzimet e studimit në arsimin e lartë. Madhësia e vlerës përcaktohet nga lloji i studimeve që do të ndiqen. Psh., studimet në një degë të shkencave sociale kushtojnë shumë më lirë se ato të shkencave mjekësore. Sipas këtij modeli, programet e studimit grupohen në disa shporta, sipas kostos së tyre. "Nuk mundet që të gjithë studentët të marrin kuponë. Nëse i gjithë buxheti u shpërndahet të gjithë studentëve aplikantë, atëherë është e qartë se këto kuponë nuk përballojnë koston reale të shpenzimeve për studime, për pasojë nuk garantohet cilësia dhe mund të jetë e papërballueshme për disa studentë të kompensojnë pjesën tjetër të shpenzimeve", sqaron Musai. Ai shton se numri i studentëve që do të përfitojnë nga skema përcaktohet teknikisht në varësi të buxhetit dhe më pas shpërndahet sipas programeve të studimit, bazuar në kërkesat e studentëve, por edhe të nevojave që ka shteti për disa programe studimi, që edhe mund të mos jenë të parapëlqyer shumë nga studentët. Ndërkaq, për kriteret që duhen për të përfituar një kupon po shihen disa mundësi. Prioritare është vendosur sasia e të ardhurave (sa më e ulët, aq më shumë shanse ka studenti për ta marrë), por jo pak rëndësi pritet t'u jepet edhe rezultateve. Studentët me rezultate më të mira do të mund të "shpërblehen" me këtë sasi parash. Po kështu nuk është përcaktuar ende nëse do të përfitojnë edhe shkollat e larta private njësoj si ato publiket prej kësaj skeme. Sipas këshilltarit të Kryeministrit për arsimin, modeli i financimit sipas parimit paraja ndjek studentin, është një alternativë. Por deri sa të arrihet te koncepti i plotë i modelit të përshtatur për vendin tonë, IAL-të duhet të fillojnë menjëherë përgatitjet për të krijuar mekanizmat e duhur për t'u përshtatur në një situatë të re.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›