Shpifja ndaj Hysamedin Ferajt, Kadare i pafajshëm
TIRANE - Ismail Kadare, shkrimtari i shquar shqiptar është shpallur dje i pafajshëm ndaj akuzave të ngritura nga pedagogu i Shkencave Politike Hysamedin Feraj. Vendimi i pafajësisë për shkrimtarin është shpallur paraditen e djeshme nga gjyqtari kryeqytetas Ilir çeliku, i cili në të njëjtën kohë rrëzoi edhe padinë civile të pedagogut në shumën e 50 mijë eurove. konflikti mes shkrimtarit Kadare dhe pedagogut Feraj nisi ditët e fundit të vitit 2008 pas një artikulli të botuar në një të përditshme me titullin "Intrigat që fshihen pas sulmit ndaj Skënderbeut", me autor shkrimtarin e njohur dhe nëntitull "Përbaltja, rrënim për kombin tonë". Duke pretenduar se Kadare kishte vënë në gojën e Ferajt një pohim që ai nuk e kishte thënë kurrë, Feraj iu drejtua Gjykatës së Tiranës me dy padi njëkohësisht, një penale dhe një civile. Ndërkohë që Kadare pohoi se citimet i kishte marrë nga një shkrim tjetër. Artikulli, në të vërtetë është parathënia që Kadare ka shkruar për të prezantuar për herë të parë botimin "Foleja kombëtare", e vetmja dramë e Mithat Frashërit. "...Midis përgjigjeve është njëra që gjithmonë e më shpesh përsëritet, në mënyrë ogurzezë: në Shqipëri punët do të shkojnë gjithmonë e më mbrapsht, përderisa në qendër të Tiranës nuk do të hiqet shtatorja e Skënderbeut për t'u zëvendësuar me atë të Sulltan Muratit...", thuhet në artikullin e Kadaresë, duke ia veshur këto thënie Ferajt, i cili në bazë të tyre depozitoi padinë. fa.ma.