E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, ikonat zhdukeshin pas ekspozimeve jashtë vendit

Kur kanë kaluar rreth 48 orë nga arrestimi i bujshëm i tre personave që trafikonin relike dhe vepra të artit dhe kulturës, nis të zbardhet skema e "zhdukjeve" të ikonave të Beratit pas ekspozimit nëpër panaire të ndryshme. Ka pasur dhjetëra kërkesa nga vetë drejtuesit e muzeve, por edhe pushtetarë lokalë, të cilët i janë drejtuar instancave të larta të shtetit për kthimin e kësaj pasurie të trashëgimisë kulturore të Beratit. Ish-prefekti i Qarkut të Beratit, Thanas Broka, në vitin 2004, i ka kërkuar ministrit të Kulturës të asaj kohe, Blendi Klosi, kthimin e 61 ikonave të Muzeut të Beratit, nga të cilat, 45 ishin marrë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe 16 nga dega e Monumenteve në Korçë, të cilat nuk dihet se ku kanë shkuar. Ndërkaq kujtojmë se ish-drejtori i Degës së Monumenteve të Kulturës, deri në vitin ‘92, Myslym Hotova, ka denoncuar zhdukjen e disa ikonave. Ky ishte rasti i parë i ikonave të zhdukura nga inventari i këtij institucioni, gjatë vitit ‘91. Ndërsa në vitet ‘92-‘97 ka qenë vetë ish-drejtori i muzeut, Sami Starova, që ka denoncuar vjedhjen dhe grabitjen e shumë objekteve dhe relikeve të ruajtura në muzeun historik dhe atë etnografik të qytetit të Beratit, deri në vitin ‘97. Bëhej fjalë për disa kostume kombëtare të zonës, armë trofe prej ari dhe argjendi, gdhendje druri, monedha ari e argjendi që datojnë në shekuj të ndryshëm, ikona origjinale apo dhe kopje të tyre, etj. Por, asnjë nga këto objekte të vjedhura nuk u gjet dhe nuk u identifikua ndonjë autor i zhdukjes së tyre, aq më pak penalizuar. Ndërkaq kujtojmë se ka pasur edhe shumë ikona, pjesë e pasurisë kulturore të qytetit të Beratit, të cilat janë dërguar në panaire kombëtare e ndërkombëtare, me urdhra nga lartë, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk dihet ku kanë shkuar.

Ndërsa mësohet se hetimet për këtë çështje kishin nisur gjashtë muaj më parë. Një informacion i ardhur në rrugë operative ka vënë në lëvizje prokurorinë e rrethit për të nisur hetimet. Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se po punohet për gjetjen e vend origjinës së objekteve, nisur dhe nga disa denoncime të bëra gjatë dhe pas vitit 1997, si dhe për disa vjedhje të bujshme të një pjese të fondit të pasurive kulturore të qytetit të Beratit. Është bërë e ditur se do të merren në pyetje të gjithë ish-drejtuesit e muzeve të këtij qyteti, që nga viti 1990 e deri më tani. Por burimet zyrtare të Policisë dhe Prokurorisë së Beratit nuk pranojnë të prononcohen më tej se sa është numri dhe vlera e objekteve të sekuestruara, nëse mes sendeve të sekuestruara ka relike të trashëgimisë kulturore dhe pjesë të inventarit të muzeve të Beratit, etj. Ndërkaq ish-drejtues të muzeut të Beratit, të kontaktuar në telefon, nuk kanë pranuar të prononcohen rreth këtij problemi. Të gjithë kanë bërë të paditurin, për rastet e vjedhjeve dhe grabitjet e shumë relikeve dhe ikonave të muzeve të Beratit, pas vitit ‘90. Sipas tyre inventarët nuk kanë treguar mungesa, ndërkaq që kronikat e këtyre viteve na kujtojnë shumë denoncime të bëra në organet e drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›