E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, kapen nëntë shpërndarës droge

Një konflikt për prishjen e pazarit të drogës është bërë shkak i arrestimit të nëntë personave në qytetin e Beratit. Policia njoftoi se në kuadër të operacionit me emrin e koduar "Kali i Trojës", ka arrestuar nëntë trafikantë dhe ka sekuestruar një sasi heroine, por dyshohet se në këtë rrjet janë përfshirë dhe persona të tjerë.

Hetimet e nisura një muaj më parë mbi dyshimet se një sasi droge që vinte nga Vlora tregtohej në qytetin e Beratit është finalizuar mbrëmjen e djeshme, me arrestimin e nëntë personave, gjashtë prej të cilëve nga ky qytet. Grupi i shpërndarësve të drogës mësohet se mbrëmjen e së mërkurës kanë pasur një kontakt mes tyre në hyrje të qytetit, gjatë të cilit mësohet të ketë lindur një konflikt. Kanë qenë përgjimet telefonike dhe informacionet e siguruara në rrugë operative që kanë sjellë bllokimin e drogës dhe më pas arrestimin në flagrancë të të rinjve. Të arrestuarit janë: Rael Dardha, 29 vjeç, banor i lagjes "Çlirim" në qytetin e Beratit; Markel Gjika, 21 vjeç, banor i lagjes " Çlirim"; Avenir Kuqali, 30 vjeç, banor i lagjes "Jani Vruho"; Skerdian Xhufi, 26 vjeç, banor i lagjes "Çelepias"; Dhimitër Boçe, 36 vjeç, banor i lagjes "30-Vjetori"; Erion Karadaku, 33 vjeç, banor i lagjes "Vakëf", si dhe Ridvan Kate, 36 vjeç, Olsi Dautaj, 25 vjeç si dhe Olsi Metolla, 25 vjeç, të tre banorë të qytetit të Vlorës.

Këta persona, mësohet se mbrëmjen e djeshme kishin lënë si pikë takimi lagjen "Kombinat" të qytetit të Beratit, ku dhe kanë rënë në pranga të policisë. Ata kanë pasur një konflikt mes tyre në lidhje me prishjen e pazarit për mallin, që dyshohet se ishte transportuar nga Vlora. Policia ka ndërhyrë në kohën kur gjashtë personat kanë qenë duke diskutuar mes tyre në lidhje me çmimin e një sasie prej 190 gramësh heroinë.

Burime zyrtare të Komisariatit të Policisë së Beratit bëjnë me dije se në lidhje me këtë grup kishin nisur hetimet një muaj më parë, ndërkohë që mbrëmjen e së mërkurës është marrë informacioni se në periferi të qytetit do të bëhej shkëmbimi i sasisë së heroinës. Në momentin që kanë mbërritur në vendin e caktuar, uniformat blu kanë bërë menjëherë rrethimin e zonës dhe më pas kanë arrestuar nëntë personat.

Në momentin e ndalimit mësohet se është bërë dhe sekuestrimi i një sasie prej 190 gramësh lënde narkotike me ngjyrë bezhë, që dyshohet se është heroinë. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes u bllokuan dhe dy mjete, një prej të cilave me targa të huaja, tip "Smart" dhe një me targa Berati 9963 A, tip "Mercedes Benz". Në njërin prej mjeteve mësohet se është bllokuar dhe një armë zjarri, tip pistoletë "Zastava", me gjashtë fishekë. Policia tha se të gjithë personat do të akuzohen për veprën penale të "trafikimit dhe shitjes së lëndëve narkotike", ndërkohë që materialet e kësaj çështjeje kaluan për hetime të mëtejshme pranë prokurorisë së rrethit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›