E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembja e pallatit, Apeli lë në burg shtatë të akuzuar

Gjykata e Apelit në Gjirokastër ka lënë në burg të akuzuarit si përgjegjës për ngjarjen e 9 nëntorit, kur në lagjen "11 Janari" të qytetit u shemb një pallat pesëkatësh dhe humbën jetën tre persona. Me procedurë të përshpejtuar, shtatë të pandehurit janë paraqitur njëri pas tjetrit në Gjykatën e Apelit. Gjykatësit që kanë shqyrtuar çështjet në ngarkim të shtetasve Thanas Llahana specialist gjeolog, Aristotel Haxhi dhe Sotiraq Janora pronarë të firmës "Arti" shpk, Alfred Mamani dhe Afërdita Papamihali zyrtarë të Bashkisë së Gjirokastrës, Gjergji Meci dhe Luan Bufi inxhinierë zbatues të firmës ndërtuese, kanë shqyrtuar provat e paraqitura nga prokurori i Apelit, Bujar Iljazaj. Shpërdorim detyre dhe moszbatim të rregullave në punë, janë dy akuzat që rëndojnë mbi shtatë të pandehurit. Ndërkohë që avokatët kanë paraqitur argumentet e tyre për ndjekjen e të gjithë personave të arrestuar në gjendje të lirë pasi ata nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore. Por gjyqtarët Irena Brahimaj, Tomor Skrelaj dhe Miranda Andoni kanë qenë të vendosur që të shtatë të akuzuarit të mbeten në dhomat e paraburgimit. Pritet të shqyrtohet edhe rivlerësimi i masës së arrestit për përgjegjësin e Inspektoratit të Ndërtimit në Bashkinë e Gjirokastrës, Admir Shehaj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›