E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, konferencë për arkitekturën italiane

Konferenca "Gjuha e arkitekturës italiane në Shqipëri" hapi mbrëmë në këtë qytet aktivitetet me rastin e javës së kulturës dhe gjuhës italiane. Aktiviteti ka mbledhur mbrëmë në ambientet e galerisë së arteve "Edward Lear" përfaqësues të konsullatës italiane në Vlorë, vetë konsullin Sergio Stozzi, pushtetarë lokalë dhe qytetarë të Beratit. Konferenca u realizua nga konsullata italiane në Vlorë në bashkëpunim me Bashkinë e Beratit dhe solli në vëmendjen e të pranishmëve fakte dhe të dhëna mbi prezencën e arkitekturës italiane në qytetet kryesore të Shqipërisë dhe veçanërisht në Berat. Ndikimi i arkitekturës italiane në Shqipëri është tepër i dukshëm në ditët tona, duke u dhënë pamje shesheve kryesore të kryeqytetit dhe ndërtesave të disa qyteteve kryesore në vend. Në periudhën e viteve 1939-1942, arkitektët italianë rishikojnë të gjitha planet rregulluese të qyteteve kryesore ose i bëjnë nga fillimi. Arkitektët italianë kanë realizuar hartimin e planeve rregulluese të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Elbasanit, Beratit, Petrelës, Sarandës etj. Arkitekti italian, Simone Mazzetto, që referoi në këtë konferencë, u shpreh se në qytetin e Beratit gjenden gjurmë të arkitekturës italiane të shekullit 20 në disa objekte që janë të ruajtura deri në ditët tona, megjithëse në kushtet që kërkojnë restaurime apo ndërhyrje. Numri i këtyre objekteve është rreth 30, por në ato vite ka qenë më i lartë, përfshirë edhe ndërtesa të cilat janë shkatërruar gjatë kohërave. Pas konferencës, të pranishmit ndoqën ekspozitën me foto "Gjurmë të arkitekturës italiane në Shqipëri".

Mi.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›