E Diel, 1 Nëntor 2026

"Princi i Asturias", zyrtarisht për Kadarenë

Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, ka marrë dje zyrtarisht çmimin "Princi i Asturias për Letrat" në Oviedo të Spanjës. Në një ceremoni të mbajtur mesditën e të premtes, vetë princi trashëgimtar i Spanjës, Filipi, së bashku me princeshën Leticia kanë pritur fituesit e çmimeve për tetë kategori të ndryshme. Shkrimtari shqiptar u vlerësua nga juria si fitues i çmimit "Princi i Asturias për Letrat". Pas hyrjes solemne në Teatrin Campoamor të Oviedos në Spanjë dhe fjalimit të drejtorit të fondacionit, shkrimtari shqiptar ka qenë i pari që ka mbajtur fjalim me rastin e ceremonisë zyrtare të çmimit. I transmetuar live në shumë stacione të botës, Kadare duke bërë paralelizma ka folur për diktaturën, për faktin se 20 vjet më parë në Shqipërinë komuniste as që mund të mendohej që një shkrimtar shqiptar mund të merrte një çmim në Spanjë për letërsinë e shkruar atëkohë, ka folur për pavarësinë e letërsisë dhe të arteve nga jeta reale. Një fjalim që ka tentuar të rrokë diskutime të hershme mbi letërsinë, mbi marrëdhëniet e shkrimtarëve me regjimet dhe veprën letrare. Fituesit e çmimeve "Princi i Asturias" u lajmëruan në 24 qershor të këtij viti. Juria e vlerësoi shkrimtarin shqiptar si një zë universal kundër totalitarizmit. Kadare la pas emra të njohur të letërsisë si: Milan Kundera, japonezin Haruki Murakami, kanadezen Alice Munro, shkrimtarin Antonio Tabuchi etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›