E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Giffoni" çon filmin në Burgun e Kavajës

Edicioni i pestë i "Giffoni Shqipëria" ka ndaluar edhe në qytetin e Elbasanit. Pas Shkodrës dhe Durrësit, nxënës të përzgjedhur nga shkollat e këtij qyteti kanë ndjekur në kinema "Millenium" projeksionet e prodhimeve kinematografike botërore më të mira të dy viteve të fundit që vijnë nga Spanja, Holanda, SHBA, Australia dhe Italia që shfaqen në seksionet "Free to fly" dhe "Y generation", që u drejtohen përkatësisht grupmoshave 12-15 dhe 15-19 vjeç. Rrugëtimi i "Giffon"-it në këtë qytet tashmë është i përvitshëm. Në një konferencë të djeshme, organizuar në bashkinë e qytetit, kryetari Qazim Sejdini u shpreh se "është kënaqësi që "Giffoni" është kthyer pjesë e traditës së qytetit. Prej dy vitesh kanë qenë të vazhdueshme përpjekjet e bashkisë për t‘i dhënë më shumë larmi jetës kulturore, por kthimi i të rinjve te kinemaja është një ndërmarrje e vështirë, ndaj kontributi modest që të mirëpresim këtë festival, është një detyrim për ne". Pas Elbasanit, organizatorët kanë menduar për një projeksion të veçantë të një prej filmave të këtij edicioni të pestë. Sot paradite (data 24 tetor), ora 11.00 në Burgun e të rinjve në Kavajë do të ketë një projeksion special të filmit "Broken Hill". Namik Ajazi, drejtori i festivalit, shprehet se kjo është një mundësi që këta të rinj ta ndjekin, të reflektojnë e të japin mendimet e tyre mbi këtë film, ngjarjet e të cilit zhvillohen në burg. "Broken Hill", një realizim australian i 2009-s, është shkruar dhe realizuar me regji të Dagen Merrill dhe interpretuar nga kasti i aktorëve Luke Arnold, Timothy Hutton, Alexa Vega etj. Në edicionin e 39 të "Giffoni Film Festival" në Itali, ka marrë çmimin e filmit më të mirë. Tomi është një djalosh që ka lindur dhe është rritur në një vend të shkretë të Australisë. Ai punon në një fermë delesh dhe mundohet të bëjë gjithçka për të kënaqur të atin e tij, por dëshira më e madhe e Tom është të bëhet një muzikant i madh. Gjithçka ndryshon kur Tomi takon shoqen e re të klasës, Kat, një vajzë e bukur bionde. Tomi përpiqet të bëjë gjithçka që të tërheqë vëmendjen e Kat, aq sa futet në telashe me policinë lokale. Fatmirësisht i shpëton burgimit dhe zgjedh të bëjë punë komunitare në një burg të afërt. Fati do t‘i buzëqeshë kur mësuesi i tij i muzikës kërkon t‘i bëjë një audicion që të marrë pjesë në konservatorin më të mirë të muzikës. Kundër të gjitha shanseve, Tom fiton dashurinë e Kat, gjen mënyrën për t‘u pajtuar me të atin dhe drejton koncertin e jetës së tij. Pas projeksionit të "Broken Hill" me të rinjtë që vuajnë dënimin në Burgun e Kavajës do të ketë një seancë bashkëbisedimi. Ndërsa të hënën "Giffoni 5" do të mbërrijë në Tiranë, ku do të shfaqet për tri ditë me radhë. Mbrëmja e 28 tetorit në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe një ceremoni çmimesh do të shënojë mbylljen e edicionit të pestë të festivalit për të rinj dhe fëmijë.

B.Dybeli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›