E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kristo: Më quajnë terrorist, se nuk punova për SHISH-in

"Kushdo mund të përfundojë në burg me fjalë të shkëputura nga konteksti. Prokurori nuk i kupton fjalët që lexon. Jam i pafajshëm dhe nuk mund të qëndroj pas hekurave për inat të dikujt, ndërsa familja ime, fëmijët e mi, gruaja shtatzënë dhe nëna invalide në karrocë kanë nevojë për kujdestarinë time". Me këto fjalë, i dyshuari për nxitje dhe thirrje me qëllime terroriste, Artan Kristo, ka kërkuar pafajësinë e tij në sallën e gjyqit, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Durrësit.

Seanca është zhvilluar nën masa të larta sigurie dhe Kristo është sjellë në sallë me pranga në duar nga toga e shoqërimit, e veshur me jelekë antiplumb. Ditën e djeshme, Gjykata e Durrësit, përmes vendimit të gjyqtares Dhurata Bilo, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës për lënien në "arrest me burg" të klerikut Artan Kristo, i cili akuzohet për nxitje e thirrje me qëllime terroriste. Transferimi i dosjes së Kristos nga Tirana në Durrës për moskompetencë, ka bërë që gjykata të vlerësojë edhe njëherë masën e sigurimit personal të tij dhe të caktojë një masë në përfundim të dëgjimit të palëve. Ndërsa seanca ka qenë afër shtyrjes, për shkak se avokati mbrojtës, Ilir Malindi, nuk kishte prokurë përfaqësimi nga klienti Kristo, në sallë është shfaqur vetë Kristo i prangosur dhe shoqëruar nga policë të mirarmatosur, duke i dhënë vijimësi seancës deri në dhënien e vendimit që nuk solli asnjë ndryshim nga ai i Tiranës.

Kristo akuzoi autoritetet se po e procedojnë penalisht mbi bazën e fjalëve të shkëputura, që as nuk i kuptojnë, duke lënë të kuptohet se është viktimë e refuzimit të disahershëm të propozimit për t‘u rekrutuar në strukturat e Shërbimit Sekret Shqiptar. Së bashku me avokatin e tij mbrojtës, Artan Kristo kërkoi ndryshimin e masës në detyrim paraqitjeje për shkak të parrezikshmërisë shoqërore dhe nevojës që ka familja e tij për kujdestari. Ai tha se është në pritje të fëmijës së tetë, ka probleme shëndetësore dhe ekonomike, pasi në familje, përveç tij, askush nuk punon. Mbrojtja paraqiti dokumentacion pranë gjykatës se qëndrimi i klientit të tij në burg mund ta rëndojë gjendjen shëndetësore, pasi vuan nga zemra dhe ka një problem në shtyllën kurrizore. "Klienti im nuk përbën rrezik shoqëror dhe as nuk ka ndërmend të arratiset, përpos faktit që ka detyrime familjare dhe probleme shëndetësore. Ai duhet të kujdeset për 7 fëmijët e tij", tha avokati Malindi, por pretendimet e mbrojtjes dhe të dyshuarit nuk e ndryshuan qëndrimin e organit të akuzës ndaj masës së sigurimit personal të tij, deri në përfundim të hetimeve.

Kristo deklaroi se është i pafajshëm dhe se me fjalë të shkëputura çdokush mund të futet në burg. Ai kërkoi nga gjykata dhe iu dha mundësia të shpjegojë në seancë kuptimin e fjalëve arabe, për të cilat mendon se është arrestuar, i bindur se pafajësia e tij do të verifikohet. "Fjala Salafi do të thotë pasues i gjeneratës së parë islame, ndërsa Tekfirist përfaqëson një grupacion, që ka ekstremitet në perceptimin e hyrjeve dhe daljeve të njerëzve nga islami", shpjegoi Kristo, duke thënë se fjalët mbi të cilat mbështetet akuza janë shkëputur jo nga fjalimet e tij 50 minutëshe me shokë besimtarë, por gjatë përgjigjeve të tij ndaj pyetjeve të bëra prej tyre. "Në ato fjalë nuk ka nxitje. Unë mbaj përgjegjësi për fjalët e mia dhe dyshimet e ngritura ndaj meje nuk janë të arsyeshme", vijoi ai, duke kërkuar kthimin pranë familjes.

Ndërkaq, prokurori i çështjes deklaroi se dyshimet janë të arsyeshme dhe janë ngritur mbi shprehjet e thëna në gjuhën shqipe, ku "bëhet thirrje për Xhihad e për të ngritur shtetin islamik, duke përdorur çdo mënyrë dhe armë". Mbrojtja nga ana e saj kërkoi të njihet me fashikujt e përgjimeve të SHISH-it ndaj klientit, ndërsa i vlerësoi ato si të paligjshme, pasi janë kryer pa vendim gjykate. Akuza e kundërshtoi këtë pretendim, ashtu siç iu refuzua edhe kërkesa për njohjen me to nga organi i akuzës gjatë fazës së hetimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›