E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie nga tarraca, vdes një 53-vjeçar

Një 53-vjeçar nga rrethi i Fierit ka gjetur vdekjen si shkak i rënies nga lartësia. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, kur Sotiraq Çobani, 53 vjeç, nga fshati Bishan, Komuna e Levanit, ka hipur në tarracën e vilës dhe era e fortë e ka marrë dhe e ka përplasur fuqishëm në tokë, duke i shkaktuar plagë të rënda. "Për afro 30 minuta ka zgjatur qëndrimi i tij mbi tarracë më pas është dëgjuar një zhurmë e madhe, e cila u mbyt nga shiu i dendur", kështu kanë thënë për policinë të afërmit e 53-vjeçarit. Ata e kanë nisur me urgjencë drejt spitalit rajonal të Fierit, por ai ka ndërruar jetë pas disa orësh. "Çobani ka mbërritur rreth orës 12.30 minuta të mesditës së premte, me fraktura të rënda që i kanë shkaktuar gjendjen e komës dhe më pas, edhe pse iu dha ndihma, ai ka gjetur vdekjen", janë shprehur për "Shqip" bluzat e bardha të spitalit të Fierit. Ndërkohë, burimet policore pohojnë se njoftimin për vdekjen e 53-vjeçarit Çobani e kanë marrë nga mjekët e spitalit të Fierit. Këta të fundit kanë njoftuar për rastin në fjalë. Më pas, policia ka marrë deklaratat e familjarëve, që ishin dëshmitarë të vendit të ngjarjes. Burimet zyrtare policore deklarojnë se 53-vjeçari ka gjetur vdekjen si shkak i rënies nga lartësia dhe mospërdorimi i rregullave të sigurimit teknik.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›