Sarandë, kafka jo e Myderrizit
SARANDE - Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë ka përjashtuar mundësinë, që kafka e gjetur paraditen e 16 tetorit, buzë rrugës nacionale Turizëm-Kanali i Çukës në Sarandë, të jetë e 45-vjeçarit Zihni Myderrizi. Ky i fundit u gjet me kokë të prerë, më 8 tetor të vitit 2005, në qytezën e Konispolit. Sipas burimeve mësohet se nga të gjitha analizat e kryera është vërtetuar shkencërisht, se kafka e gjetur, të cilës i mungon nofulla e poshtme, i përket një personi tjetër. Për zbardhjen e këtij misteri do të kryhen përpjekje për të krijuar identikitin e plotë të kokës, për të zbuluar se cilës viktime i përket. Por bëhet gjithashtu e ditur, se edhe nga ana e Komisariatit të Policisë së Rendit Sarandë si dhe nga Prokuroria e Rrethit, po punohet për të zbuluar fakte të reja mbi këtë kafkë. Madje, nuk është përcaktuar ende as shkaku i vdekjes së këtij shtetasi, kafka e të cilit mund të jetë ajo e gjetur një muaj më parë. Fakti, që kjo kafkë, nuk i përket Myderrizit, e le në po në të njëjtin nivel misteri, vrasjen e tij, të cilësuar si një nga vrasjet më të bujshme të ndodhura 18 vitet e fundit në vendin tonë, ku as koka dhe as autori i vrasjes së viktimës, nuk është gjetur ende. sh.d