E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, kutia e fundit mban peng mandatin e pestë të PS-së

Lagja “Uznovë” pritet t’i japë edhe një deputet opozitës në këtë qark. Komisionerët e djathtë kundërshtuan vendimin për hapjen e kutisë enigmë

Jonida Tashi

Kutia e fundit mban peng mandatin e pestë të Partisë Socialiste në Berat. Megjithëse kanë debatuar për katër orë rresht me dyer të mbyllura, anëtarët e KZAZ-së për qarkun Berat nuk kanë gjetur dot gjuhën e përbashkët për të marrë një vendin final për këtë kuti. Kjo ka bërë që rreth orës 21:30 të mbrëmjes së kaluar, komisionerët zonalë të numërimit të votave të marrin vendimin për ta dërguar në KQZ kutinë e votimit që ngeli pa numërim. Por ka qenë i menjëhershëm reagimi i KQZ-së për të mos pranuar kutinë e fundit të Beratit, pasi sipas Kodit Zgjedhor nuk lejohet që një anëtar i KZAZ-së të votojë abstenim për vendimet që merren gjatë procesit të numërimit të votave. Pas marrjes së përgjigjes nga KQZ-ja, anëtarët e KZAZ-së Berat duhet të mblidhen sërish për të votuar nëse kutia e pahapur duhet të numërohet ose jo, si dhe për t’i marrë kështu vendimin pro ose kundër anëtarit që ka abstenuar për hapjen e kësaj kutie.
Mandati
Deri tani nuk dihet ende se si do të shkojë më tej fati i kutisë së fundit në Berat dhe as se ku do të përfundojnë votat e zgjedhësve që gjenden në të. Gjithsesi, nga burime zyrtare mësohet se në kutinë që ka ngelur pa u hapur janë hedhur votat e banorëve të lagjes “Uznovë” të Beratit. Kjo lagje shihet si “thembra e Akilit” për Partinë Socialiste, votat e së cilës mund t’i japin asaj mandatin e pestë, për të cilin i duhen vetëm 60 vota. Nëse votat e kësaj kutie do të numërohen, Berati do të ndahet në mënyrën e parashikuar, ku PS-ja pritet të marrë pesë mandate në këtë qark kundrejt dy të PD-së dhe një të LSI-së. Lagjja “Uznovë” pritet t’i dhurojë Partisë Socialiste deputetin e pestë në Berat, nga katër që arritur të marrë deri në pasditen e djeshme. Por, me sa duket, kutia e fundit do të vazhdojë ta tërheqë sërish zvarrë procesin e numërimit të votave në Berat, sikundër ka bërë edhe gjatë gjithë ditës së djeshme. Gjithsesi, ashtu siç është parashikuar, pritet që kutia e fundit të ndryshojë mandatet në Berat.

Diskutimet
Diskutimet për hapjen ose jo të kësaj kutie votimi në qarkun e Beratit nisën që në orët e para të ditës që lamë pas. Komisionerët socialistë shpresojnë të marrin edhe një tjetër mandat nga katër që kanë siguruar deri në këto momente, pas numërimit të kësaj kutie, e cila nuk është hapur, pasi janë konstatuar probleme. Socialistët janë të sigurt se kjo kuti mund të ndryshojë rezultatin, ndërkohë që komisionerët demokratë deklaruan se procesi i numërimit është mbyllur dhe çështja e mandateve do të qëndrojë në raportin: 4 PS, 3 PD, 1 LSI. Kreu i komisionit të KZAZ-së, që është përfaqësues demokrat, ka qenë kundër hapjes së kutisë së shumëpërfolur, sipas të cilit, vula për këtë kuti nuk është në vendin e caktuar. Megjithëse fillimisht u diskutua pritja e një vendimi nga KQZ-ja, qëndrimi përfundimtar i kësaj të fundit për këtë kuti ja la topin në derë anëtarëve të KZAZ-së Berat. Hapja e kutisë së fundit në Berat, nga njëra anë pritet të realizojë dëshirën e socialistëve për një mandatë të pestë, ndërsa nga ana tjetër ajo mund të “shuajë” edhe pretendimet e G99-s dhe të PR-së për të marrë deputetë në këtë qark.

Qarku Berat
298 qendra votimi
8 mandate, 4 PS, 3 PD, 1 LSI
PS-Erion Braçe
PS-Fidel Ylli
PS-Ermonela Velaj
PS-Marko Bello
PS-Edmond Bejko
PD-Genc Pollo
PD-Mehmet Xheka
PD-Lefter Maliqi
LSI-Nasip Naço

1 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›