PD-ja kryeson me 3 mandate në Kukës kundrejt 1 mandati të PS-së
Dje, rreth orës 18:30, ka përfunduar procesi i numërimit të fletëve të votimit në qarkun e Kukësit. Nga ky proces rezulton fituese Partia Demokratike me 58.57%, e ndjekur nga Partia Socialiste me 19.93%. Ndërsa sipas koalicioneve, kryeson koalicioni “Aleanca për ndryshim” e PD-së me 65.04% dhe koalicioni “Bashkimi për ndryshim” i PS-së me 31.28%. Nga kjo përqindje, duke iu referuar formulës së ndarjes së mandateve parashikuar në Kodin Zgjedhor, Partia Demokratike përfiton 3 mandate deputeti, ndërsa Partia Socialiste vetëm 1 mandat. Duke iu referuar listës së deputetëve të dy partive të depozituara në KQZ, nga PD-ja arrijnë të futen në Kuvendin e ri të Shqipërisë; Flamur Noka, Besnik Dushaj dhe Fatos Hoxha. Ndërsa nga PS-ja futet Asllan Dogjani, që kryeson listën e kësaj partie në qarkun e Kukësit.
Procesi i numërimit të votave në KZAZ-në e rrethit të Kukësit ka ecur pothuajse normalisht. Është ndërprerë vetëm një herë gjatë mbrëmjes së një nate më parë për shkak të lodhjes së komisionerëve, ndërkohë që procesi i numërimit ka rinisur rreth mesditës së djeshme dhe ka përfunduar rreth orës 18:30. Kryetari i KZAZ-së së këtij qarku, Ramiz Lala, ka bërë të ditur se procesi i numërimit në këtë qark nuk ka pasur probleme dhe asnjë kontestim.
Deputetët fitues në Kukës
PS
Asllan Dogjani
PD
Flamur Noka
Besnik Dushaj
Fatos Hoxha
1 Korrik 2009