E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, mbyllet numërimi, PS-ja vulos fitoren me gjashtë mandate

Socialistët lënë pas demokratët me më shumë se 22 mijë vota. Gjashtë kuti votimi paralizuan gjatë gjithë ditës numërimin

Jonida Tashi

Qarku i Vlorës do të ulë në Kuvendin e ri gjashtë deputetë socialistë, nga 12 mandate që ka nxjerrë në total në zgjedhje. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme është mbyllur zyrtarisht procesi i numërimit të votave në këtë qark. Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Vlora shumicën dërrmuese të votave ia ka dhënë Partisë Socialiste. PS-ja ka marrë rreth 45 për qind të votave, ndërsa PD-ja rreth 29 për qind. Kjo do të thotë se PS-ja ka marrë afro 22 mijë e 500 vota më shumë se rivalja e saj më e egër në këto zgjedhje, PD.
Çamët
Surpriza e këtyre zgjedhjeve për qarkun e Vlorës ka qenë marrja e një mandati nga partia e çamëve. Në këtë qark me 12 deputetë janë shfaqur edhe dy forca të tjera, të cilat kanë arritur që të kenë nga një deputet. Bëhet fjalë për PBDNJ-në, me 5.72 për qind të votave dhe PDI-në me 4.65 për qind. E përkthyer me karrige në Kuvend, situata e Vlorës është: 6 PS-ja, 4 PD-ja, 1 PBDNJ-ja dhe 1 PDI-ja. E vetmja enigmë e këtij qarku ishte fakti që PDI-ja mund të ulej në përqindje, pasi ishin numëruar të gjitha zonat me banorë çamë, ndërsa PS-ja mund të rritej në vota duke i “rrëmbyer” asaj këtë mandat. Numërimi i votave në qarkun e Vlorës ditën e djeshme ka qenë pothuajse tërësisht i paralizuar. Ndërprerja e tij ka nisur që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, konkretisht rreth orës 10:05. Procesi u ndërpre për shkak të mosmarrëveshjeve mes komisionerëve të subjekteve të ndryshme politike për procesverbalet shoqëruese të disa kutive të votimit. Në qendrën e numërimit të votave në KZAZ-në Nr.61, në Pallatin e Sportit të qytetit, procesi është ndërprerë, kur kishin mbetur ende pa u numëruar edhe 6 kuti votimi.
Reagimet
Për këtë çështje reaguan sekretari i Përgjithshëm i PS-së në Vlorë, Shpëtim Gjika dhe kandidati për deputet i PD-së, Ardian Kollozi. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Shpëtim Gjika, caktimi si të pavlefshme i 6 kutive të votimit është bërë nga komisionerët e PD-së me urdhër nga lart nga dëshpërimi i humbjes. Ndërsa sipas kandidatit të PD-së në Vlorë, Astrit Patozi, kutitë do të numëroheshin dhe më pas do të pritej një vendim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për votat në këto 6 QV. U desh të kalonin disa orë që palët të binin dakord se këto kuti duhet të numëroheshin. Në orën 16:00 të pasdites nisi numërimi i 6 kutive të pezulluara gjatë gjithë ditës për parregullsi në KZAZ. Procesi përfundoi rreth orës 20:00 të mbrëmjes, prej nga ku dolën edhe rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve edhe për qarkun e Vlorës. Në bashkinë e Vlorës, në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, funksionuan 86 qendra votimi. Ndërsa në rang qarku funksionuan 345 qendra votimi. Në KZAZ-të 62 dhe 63 të rrethit të Vlorës procesi i numërimit të votave përfundoi mbrëmjen e të hënës.

Qarku Vlorë
345 qendra votimi
12 mandate
6 PS, 4 PD, 1 PDI, 1 PBDNJ
PS-Arben Isaraj
PS-Luiza Xhuvani
PS-Arben Malaj
PS-Shpëtim Idrizi
PS-Eltar Dedaj
PS-Fatmir Toçi
PD-Astrit Patozi
PD-Ardian Kollozi
PD-Leonard Demi
PD-Kreshnik Çipi
PDI-Dashamir Tahiri
PBDNJ-Vangjel Dule

1 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›