E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, lagja turistike Kala pa ndriçim, turistët reduktojnë shëtitjet

Sistemi i ndriçimit në lagjen Kala të qytetit të Beratit edhe pas disa investimeve që janë bërë nga bashkia lë për të dëshiruar. Në këtë sezon kur fluksi i turistëve është i lartë dhe shëtitjet e pasditeve vonë janë më të preferuarat, mungesa e ndriçimit bën që vizitorët të largohen më shpejt për tu shpëtuar incidenteve që mund të vijnë nga rrugicat e zhytura në errësirë. Shqetësimin për mosfunksionim të ndriçimit e shprehin vetë banorët e kësaj lagjeje të cilët e ndjejnë nevojën e lllambave elektrike kur ata kthehen në banesat e tyre. Sipas banorëve të kësaj lagjeje, ndriçimi është bërë kryesisht në rrugët kryesore të lagjes Kala por në rrugicat e saj ka zona ku ke frikë të kalosh pas orës 10:00 të darkës. Banorët shprehen se u bënë instalime të dritave por problemi është që ky ndriçim funksionon pjesë- pjesë. Një nga projektet e nisura përfundoi për ndriçimin e rrugës së lagjes Kala e cila e lidh atë me qendrën e qytetit, investim i cili u bë me pajisje moderne por që u vodhën brenda vitit nga persona të paidentifikuar. Banorët kërkojnë të ketë më shumë vëmendje nga policia bashkiake, e cila duhet të kapë dhe vërë para përgjegjësisë autorët që kryejnë këto akte skandaloze të cilët nuk bëjnë gjë tjetër veçse pengojnë qarkullimit e lirshëm duke e bërë më të lehtë lëvizjen e tyre në orët e vona të darkës. Problem tjetër shqetësues për banorët mbeten pajisjet e vjetra të instaluara para atyre të rejave në shtylla të elektrikut, të cilat nuk janë hequr nga punonjës së OSSH-së dhe të cilët mund të sjellin dëmtime serioze. Një rast precedent është në një nga rrugicat ku në një shtyllë druri që rrezikohet të shembet janë të kapur kabujt elektrikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›