E Diel, 1 Nëntor 2026

Ura e Bunës mban peng marrëdhëniet tregtare Shqipëri-Mali i ZI

Ura e re e Bunës duket se po bëhet pengesë për transportin e mallrave drejt Ulqinit dhe anasjelltas. Në fakt është pikërisht kjo urë që do çonte në  rritjen e transportit jo vetëm të pasagjerëve, turistëve por edhe mallrave me këtë zonë me shqiptarë dhe kulturë të turizmit. Tri javë pas nisjes së punës në të vetmen doganë të përbashkët në Ballkan, është kthyer në domosdoshmëri realizimi brenda afateve i projektit të Urës së re të Bunës. "Duhet të shpejtoni në ndërtimin e Urës se re mbi lumin Buna, pasi prej saj kushtëzohet lëvizja tregtare e mallrave me Ulqinin", është shprehur kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga. Ish-ministri malazez i pakicave etnike ka qenë dhe iniciatori kryesor nga pala malazeze për hapjen e pikëkalimit kufitar të Muriqanit, në maj të vitit 2002. Sipas Hajdinagës, pikëkalimi kufitar i Muriqanit që lidh Shkodrën dhe Shqipërinë me Ulqinin deri më 15 qershor të këtij viti ka shërbyer vetëm për kalimin e njerëzve, ndërsa tani duhet të fillojë edhe qarkullimi i mallrave në të dy anët e kufirit. Ndërkohë, Hajdinaga pohon se gjithçka varet nga ndërtimi i urës së re mbi lumin Buna, pasi ajo aktuale nuk e ka kapacitetin për të përballuar lëvizjen e mjeteve të ngarkuar me mallra. "Nëse do të lejohet kalimi i mallrave pa u bërë ura e re, atëherë kalimi mbi urën ekzistuese i jep shkak lëvizjes së pakontrolluar të mjeteve të tonazhit të rëndë. Kjo do të ishte fatale për vetë gjendjen aktuale të urës ekzistuese", thonë specialistët. Por në fakt Hajdinaga nuk ka përmëndur edhe një mungesë të theksuar të anës Malazeze. Rruga nga dogana e përbashkët Muriqan-Sukobine e deri në Ulqin apo Tivar është krejtësisht e ngushtë dhe jashtë kapaciteteve të mëdha trasnprotuese. Pa dyshim nuk ka edhe nukl thuhet asgjë mbi zgjerimin e saj nga qeveria e shtetit të vogël fqinj. Punimet për ndërtimin e Urës së re të Bunës filluan vitin e kaluar, ndërsa pritet të përfundojnë në vitin 2010. Por, ecuria e ngadaltë e punimeve lë të dyshosh për realizimin brenda afateve të caktuar të këtij objekti me rëndësi të veçantë. Ndërtimi i urës së re mbi lumin Buna lidhet me zhvillimin ekonomik të gjithë rajonit, sidomos të turizmit. Janë rreth 12.000 banorë që jetojnë në krahun tjetër të lumit. Bëhet fjalë për banorët e lagjeve Shirokë e Zogaj, buzë liqenit të Shkodrës, një pjesë e lagjes "Liria", një pjesë e Komunës Rrethina si dhe Komuna Ana e Malit, ku dhe ndodhet pikëkalimi kufitar i Muriqanit. Projekti i urës së re kap shifrën e 7 milionë dollarëve. Ajo po ndërtohet rreth 300 metra larg urës ekzistuese e cila u rrëzua nga një betoniere përpara pesë viteve. Sipas projektit, gjatësia e kësaj ure arrin në 276 metra, ndërsa gjerësia e përgjithshme 13.5 metra (4.75 metra), sepse ura do të jetë me dy korsi dhe dy trotuare, me 2 metra gjerësi. Ura e re do të jetë e lëvizshme, në mënyrë që të hapet në rastin e kalimit në lumin Buna të anijeve që kanë lartësi mbi 6 m. Ura e Bunës po rritet dhe janë hedhur të gjitha gjymtyrët e saj prej betoni dhe në fakt duhet thënë se kjo urë do të bëjë që të ketë liri të vërtetë qarkullimi midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Por projekti i madh i autostradës që lidh Lezhën dhe superstradën Tiranë - Lezhë me Ulqinin është akoma më ambicjoz dhe ka qënë si projekt një mega investim prej 25 milion euro. Tashti me rrugën Shkodër - Hani i Hotit me rreth 30 milion euro, me urën e Bunës prej 7 milion euro dhe me projektin në vazhdim të autotradës Lezhë-Ulqin prej 25 milion euro, mbyllet edhe koridori i madh Jugë-Veri që quhet edhe koridori numër 5.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›