Berat, lumi mbyll shkollat
BERAT - Lumi lë pa mësim 530 nxënës të shkollës së mesme dhe 9- vjeçare të komunës së Lumasit në Berat. Prej shumë vitesh, kjo komunë me rreth 8 mijë banorë është privuar herë pas here në aktivitetin normal të saj, për shkak të mungesës së një ure. Sa herë që bie shi, lumi i Lapardhicës fryhet aq sa e bën të pamundur kalimin në anën tjetër të saj për banorët e disa fshatrave. Dje, më shumë se 530 nxënës dhe 40 mësues të shkollës së kësaj komune janë detyruar që të mos e zhvillojnë mësimin. Shumë prej tyre kanë mbetur në anën tjetër të lumit, ndërsa tentuan ta kalojnë atë për të shkuar në shkollë. Autobusi me nxënësit dhe mësuesit nuk mundi që ta kalojë lumin, i cili kishte vërshuar duke përmbytur edhe zonën përreth. Me gjithë përpjekjet, asnjëri prej tyre nuk mundi të kalojë. Duke parë situatën e krijuar, kanë qenë mësuesit ata që ndërhynë, duke urdhëruar nxënësit e tyre të ktheheshin mbrapsht. Mësohet se për shkak të këtij lumi, shkolla e mesme dhe njëherazi 9-vjeçare e Lumasit, shkolla e fshatit Luzaj, Pllumbas dhe Belesovë nuk zhvilluan mësim. Kryetari i komunës, Fadil Ago, u shpreh se mungesa e urës është bërë një pengesë serioze për këta banorë, të cilët prej vitesh ndodhen të izoluar. d.xh