E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva, ICITAP: Policia tregoi profesionalizëm



TIRANE - Policia e Shtetit mori vlerësime nga funksionarët e Departamentit të Drejtësisë së SHBA, për menaxhimin e situatës së krijuar ditët e fundit gjatë protestave të PS-së dhe grevës së urisë, që tashmë ka arritur në ditën e saj të 17-të. Vlerësimet u shprehën dje nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i ICITAp Garret Zimmon, gjatë një takimi me Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha. "Policia e Shtetit ka kryer në mënyrë të shkëlqyer detyrën e saj gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri vitin e kaluar, si dhe ka dëshmuar profesionalizëm të lartë për menaxhimin me sukses të situatës aktuale, duke garantuar rendin dhe sigurinë publike", u shpreh Zimmon, gjatë takimit me Bashën. Pasi u njoh me arritjet e rëndësishme të Policisë së Shtetit në luftën kundër kriminalitetit, modernizimin e sistemit të kontrollit kufitar, etj, Zimmon vlerësoi progresin dhe garantoi mbështetje të plotë për misionin ICITAP në Shqipëri. Ndërsa Ministri Basha theksoi faktin se këto arritje janë fryt edhe i ndihmës së pakursyer të asistencës së misionit amerikan në vendin tonë, duke falënderuar Qeverinë e SHBA dhe Programin Ndërkombëtar të Asistencës, Trajnimit dhe Hetimit Kriminal, ICITAP.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›