Mashtroi hotelet, 3 vjet burg në mungesë ish-ushtarit të UÇK
TIRANE - Mashtroi hotelet në të cilat qëndroi në Tiranë, dënohet tre vite burg në mungesë, amerikano-kosovari Admir Hoonaert (Saliu), ish-ushtar i UçK-së. Vendimi është firmosur nga gjyqtari kryeqytetas Bujar Krasniqi, i cili e ka gjetur fajtor të riun për mashtrimin e tre hoteleve luksoze në kryeqytet, duke mos iu paguar në total 3669 euro. Sipas vendimit të gjykatës, në datë 4 shkurt të vitit të kaluar, në ngarkim të pandehurit Admir Hoornaert, janë depozituar tre kallëzime penale nga tre drejtuesit e hoteleve luksoze në Tiranë. Administratorët e këtyre hoteleve janë pyetur më pas në seancë gjyqësore me cilësinë e dëshmitarit, ku kanë deklaruar se Hoornaert, është paraqitur në hotelin e parë më datë 22 janar 2009 dhe ka prenotuar deri më datë 5 shkurt 2009. Në datë 4 shkurt ishte konstatuar se në dhomën e tij nuk gjendeshin sendet e tij personale. Një ditë më pas, më 5 shkurt, në adresën elektronike të hotelit mbërrin një e-mail, ku shpjegohej se i pandehuri kishte pësuar një aksident dhe nuk mund të shkonte të shlyente detyrimet. Punonjësit e hotelit kanë hulumtuar rreth telefonatave të kryera nga ai dhe ka rezultuar se ai kishte folur në telefon me një tjetër hotel. Pasi kanë kontaktuar me punonjësit e këtij hoteli, kanë mësuar faktin se edhe ata gjendeshin nën të njëjtën situatë. Sipas tyre i pandehuri kishte qëndruar në hotel nga 17 deri më 22 janar dhe ishte larguar një ditë para shlyerjes, duke pretenduar se ndodhej në spital i aksidentuar. Këta kishin verifikuar edhe kartën e tij bankare, e cila ka rezultuar bosh. Në datë 2 shkurt, ai është akomoduar në hotelin e tretë, ku është zbuluar nga dy hotelet e mëparshme, të cilët i kanë kërkuar të kryente pagesat. Madje kjo gjë i është kërkuar edhe nga hoteli i tretë. Ai u ka paraqitur atyre një kartë bankare Amerikan-Ekspres, e cila ka rezultuar se ishte bosh. Pas kësaj është njoftuar policia, e cila ka bërë shoqërimin e tij. Ndërkohë, tre përfaqësuesit e hoteleve luksoze kanë pohuar në gjykatë, se pas arrestimit të 34-vjeçarit, familjarët e tij kanë shlyer këto shuma, fakt, i cili u vlerësua si rrethanë lehtësuese nga Gjykata e Apelit, për të vendosur ndaj tij masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje". Gjykata e Faktit më parë kishte vendosur për të "arrest në burg", ndërsa pas lirimit ai u largua jashtë vendit, ndërsa pas dënimit është shpallur sërish në kërkim. f.m