E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja gjatë qitjes, dy adoleshentë në pranga



DIBER - Dy adoleshentë janë arrestuar në kushtet e flagrancës nga policia e qarkut Dibër, pas vrasjes së 18-vjeçarit Altin Stërmilli nga fshati Pjeçë, komuna Melan. Policia bëri të ditur se pas hetimeve intensive ka rezultuar se autori i ngjarjes aksidentale është 17-vjeçari Agurim ç. ndërkohë që arma ishte "pronë" e moshatarit të tij, Ernest D.. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së shtunës, në Bjeshkët e Ilnicës, teksa 8 të rinj po qëllonin me armë zjarri. Fillimisht vrasja dhe autorësia e armës iu la Agurim ç., ndërkohë dje policia konstatoi se arma i përkiste një tjetër adoleshenti. Nga hetimet e para është mësuar se ngjarja ishte për shkak të pakujdesisë, por hetimet nuk kanë përfunduar ende dhe gjithçka do të sqarohet deri në përfundim të gjykimit të ngjarjes tragjike. Adoleshentët janë shprehur para oficerëve të policisë gjyqësore se vrasja e Stërmillit është kryer pa dashje nga 17-vjeçari, teksa ai kishte marrë armën për të qëlluar në shenjë. "Asnjëri prej nesh nuk e ka kuptuar se si arma është kthyer anash dhe ka goditur shokun tonë të ngushtë. Jemi të pikëlluar se e donim shumë. Këtu nuk ka asnjë të qëllimshme. Ne jemi fajtorë se kemi përdorur armën e zjarrit në kundërshtim me ligjin", kanë thënë të rinjtë për policinë. Fillimisht policia dhe të rinjtë ia kishin "faturuar" ngjarjen Agurim ç., ndërkohë një ditë më vonë ata treguan se arma, tip Kallashnikov, ishte transportuar nga fshati Pjeçë deri në mal nga Ernest D. Sot pritet masa e sigurisë për dy të rinjtë, njëri i akuzuar për vrasje nga pakujdesia dhe tjetri për mbajtje të armëve dhe municioneve luftarake pa leje. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›