E Shtunë, 31 Tetor 2026

SOS, 3 peshkatarë luftë me dallgët



DURRES/LEZHE

Tre peshkatarë amatorë i shpëtuan mrekullisht mbytjes nga deti i tërbuar. Ata kishin dalë për gjueti në Spille dhe Velipojë me barkat e tyre të vogla, ndërkohë që era dhe dallgët e forta i kanë zhvendosur varkat e tyre drejt detit të hapur, duke e bërë të pamundur mbajtjen e mjeteve lundruese nën kontrollin e tyre. Njëra prej ngjarjeve u shënua dje, kur një barkë peshkimi u mbyt në ujërat e plazhit të Spillesë. Peshkatari që ndodhej në bordin e varkës arriti të shpëtojë mrekullisht.
Ngjarja ndodhi në orën 09:00 kur peshkatari H.Hoti lajmëroi me celular stacionin policor të kufirit në fshatin Spille. Hoti kishte shkuar të hidhte rrjetat rreth 500-600 metra larg bregut, duke shpërfillur rrezikun e detit me forcë 6 ballë dhe të erës, e cila frynte me 15 metra në sekondë. Varka e plastikës me të cilin Hoti lundronte me motor 25 kubikësh, pësoi avari. Me të konstatuar defektin, peshkatari dha alarmin. Ai e kishte të pamundur të kthehej në tokë, pasi rrymat po e shtynin në thellësi. Për fat të mirë efektivët e policisë kufitare të stacionit të Spillesë, së bashku edhe me një tjetër peshkatar të zonës arritën të nxjerrin në breg Hotin, varka e të cilit ishte mbytur. Për disa minuta peshkatari është gjendur pa barkën e tij në mes të detit. Ai dinte mirë not dhe kjo zotësi fatlume e ndihmoi për të mbijetuar derisa mbërriti ndihma me barkën tjetër. Me të dalë në breg atij iu dha ndihma e parë në Spitalin e Durrësit, ku ndodhet i shtruar jashtë rrezikut.
Po dje, dy të rinj peshkatarë amatorë nga Velipoja rrezikuan jetën, teksa u gjendën në mes të dallgëve me varkën e tyre. Sipas policisë së Lezhës, reshjet e shiut, era e fortë dhe dallgët kanë bërë që dy peshkatarë, të cilët ishin nisur nga Velipoja të mbërrinin në drejtim të Shëngjinit, pas humbjes së kontrollit të varkës së tyre. Ka qenë policia kufitare e Lezhës dhe ajo e Durrësit, të cilët bashkëvepruan dhe shpëtuan mrekullisht djemtë nga fshati Rjollë i komunës Velipojë të Shkodrës. Sipas policisë, dy peshkatarët, të cilët rrezikuan të mbyteshin në ujërat e detit Adriatik ishin A. Zhuri, 21 vjeç dhe A. Zhuri 19 vjeç. Dy vëllezërit Zhuri ishin futur në detin e Velipojës rreth orës 08:00 të së dielës për të peshkuar. Pas një ore lundrimi, të rinjtë janë zënë në panik për shkak të dallgëve të mëdha, të cilat po iu rrezikonin fundosjen e barkës. Të ndodhur në një situatë të tillë ata kërkuan nëpërmjet telefonit ndihmën e policisë dhe të të afërmve të tyre. Pas njoftimit, policia kufitare e Lezhës dhe ajo e Durrësit janë nisur në drejtim të vendndodhjes së peshkatarëve të rrezikuar. Pas 30 minutash, policia kufitare mundi të kontaktojë me dy të rinjtë. Rreth orës 09:50, blutë bënë të mundur edhe tërheqjen e varkës me një skaf të madh. Vëllezërit janë mbajtur për disa minuta në zyrat e policisë kufitare derisa kanë marrë veten, pasi gjendja psikologjike e tyre ishte e rëndë. o.u/r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›