Berat, masakrohet me thika topografi i komunës
Një punonjës komune në një fshat, të rrethit të Beratit, është masakruar me thika, paraditen e djeshme dhe ndodhet në spital në rrezik për jetën. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e Komunës Kutalli, rreth 40 km larg Beratit. Bujar Selami, topograf i komunës, është qëlluar disa herë me thikë në trup. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë më dije se 45-vjeçari, banor i fshatit Kutalli, ndodhej paraditen e djeshme në ambientet e jashtme të zyrave të komunës, ku dhe është qëlluar nga një person, që më vonë është identifikuar si i afërm i tij. Më pas, agresori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që të plagosurit i kanë ardhur në ndihmë kolegët e punës dhe kalimtarët e rastit. Ai është dërguar me shpejtësi drejt spitalit rajonal të Beratit. Burime pranë repartit të kirurgjisë në këtë spital bëjnë me dije se pacienti ka mbërritur me 15 plagë në trup. Ai u është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe ndodhet aktualisht nën terapi intensive. Burim zyrtare të policisë së Beratit bënë të ditur se autori i plagosjes së rëndë është Pëllumb Selami, djali i xhaxhait të viktimës, i cili ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes pa rënë në dorë të policëve. Ndërkohë po punohet për të zbuluar motivet e këtij krimi.