E Shtunë, 31 Tetor 2026

Precedenti i misrit shterp rrezikon prodhimin e grurit

Misri shterp ka trembur fermerët e Myzeqesë. Pothuaj të gjithë fermerët e Fierit dhe të Lushnjës janë duke mbjellë grurë të pa certifikuar. Ndërsa fermerët e rrezikuar për një tjetër pasojë në të mbjella, shprehen se farërat e servirura nga shteti paraqiten jo të besueshme, Drejtoria e Bujqësisë Fier deklaron se nuk ka dëmshpërblim për ata fermerë që anashkalojnë mendimin e specialistit, lidhur me farërat. Punimi i tokës dhe mbjellja e drithërave të bukës për vitin e ardhshëm, ka detyruar me qindra fermerë në Rrethin e Lushnjës dhe atë të Fierit që të mbjellin sipërfaqet që kanë në pronësi me grurë jo të certifikuar. Alarmi për farën e pa certifikuar të grurit vjen jo vetëm nga fermerët, por edhe nga autoritet e bujqësisë në qark. Vetëm gjatë javës së fundit të tetorit dhe ditëve të para të muajit nëntor, sipërfaqe të tëra toke në Qarkun e Fierit janë mbjellë me farë gruri të pakontrolluar dhe certifikuar. Ky veprim i fermerëve cilësohet nga specialistët e bujqësisë si një proces që do të sjellë dështim të prodhimit të grurit për vitin e ardhshëm. Konfirmohet zyrtarisht se tonelata të tëra grurë të përfituar nga prodhimi i verës së vitit 2008, po pastrohen nga fermerët prej farërave të bimëve të këqija dhe pa asnjë kontroll të specialistëve të bujqësisë po hidhen në tokë në cilësinë e farërave, në këtë sezon mbjelljesh. Fermerët shprehen se e gjithë kjo ndodh nga frika e cilësisë së farërave që qarkullojnë në pikat e shpërndarjes së farërave. Por, edhe çmimi i një fare gruri pa garanci është një arsye më shumë për fermerët. "Agronomi, që ne pyesim, nuk e ka provuar mbjelljen e farës që ne blejmë", të thotë Asqeri Nuhu, një fermer, por ne e provojmë në tokën tonë. Do të thotë që ne po luajmë si në një lojë fati. Ne nuk mund të përballojmë dot që të blejmë farëra të certifikuara, sepse jo vetëm garancia që mungon në to, por edhe çmimi është i papërballueshëm. Farërat kushtojnë shtrenjtë, garanci asnjë nga pikat e shpërndarjes së tyre nuk jep". Një fermer tjetër thotë se "punimi i tokës ka shkuar 25 mijë lekë dynymi, por duhen edhe procese të tjera dhe 35 mijë lekë për dynym kushton vetëm mbjellja", sipas tij, blerja e farës do të ishte një shpenzim i tepërt, sidomos në kushtet kur kjo farë nuk është e garantuar, siç ndodhi me misrin sivjet. Petraq Profka, fermer nga fshati Levan i Fierit, thotë se nuk ka frikë të mbjellë farën e grurit të pa certifikuar, sepse e ka provuar edhe vitin e kaluar, kur plasi për herë të parë skandali i cilësisë së farërave që shiteshin si të certifikuara nga shteti. Mbi 1000 hektarë tokë bujqësore në Rrethet Lushnjë e Fier janë mbjellë në këtë mënyrë e konsiderohen si sipërfaqe të rrezikuara nga dështimi i prodhimit.

Zyrtari

Shteti nuk mban

përgjegjësi

Në Drejtorinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, drejtori Fatos Troka pohon jo vetëm mbjelljen e shumë sipërfaqeve në këtë mënyrë, por siguron se nga kontrollet e ushtruara pas identifikimit të misrit shterpë, farërat në njësitë e tregtimit janë tërësisht të kontrolluara. Drejtori i bujqësisë kërkon nga fermerët të mos kryejnë mbjellje pa u siguruar për cilësinë e farës. Gjithashtu, drejtori Fatos Troka shpjegoi se në rast dështimi të prodhimit, përgjegjësia është e vetë fermerëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›