Pyjorët nuk vjelin dot asnjë qindarkë nga gjobat
Edhe në këtë vit, ka vazhduar masakra e prerjes së paligjshme, në pyjet e Rrethit të Bulqizës. Kështu, burime nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor Bulqizë, pohojnë, për "Shqip", se deri më tani janë regjistruar për prerje të paligjshme në pyjet e këtij rrethi 113 raste, prej të cilave 17 janë dërguar për ndjekje penale dhe 96 procedime administrative. Po sipas këtyre burimeve, nga 17 raste me procedim penal, vetëm 8 raste kanë kaluar në gjykatë, nga të cilat vetëm për tre persona është kërkuar dënim me burgim, ndërsa për rastet e tjera ka pasur dënime me kusht, ku në rast të përsëritjes së veprës penale, ata mund të dënohen edhe me burgim. Në çdo rast, gjoba e vënë ka qenë 50 mijë lekë të reja. Ndërsa në 96 raste të tjera të dëmeve në pyje ka pasur procedime administrative, pasi vlera e dëmit të shkaktuar në këto raste ka qenë më e vogël se 50 mijë lekë të reja. Në çdo njërin nga këto raste, ndëshkimi për shkelësit e ligjit ka qenë në masën e vlerës së dëmit të shkaktuar, plus atë të gjobës. Sipas ligjit, thotë kryeinxhinieri i Ndërmarrjes Pyjore, Shkëlqim Hasa, vjelja e këtyre gjobave duhet të bëhet nga pushteti lokal, ku deri më tani nuk është vjelë asnjë qindarkë. "Për hir të së vërtetës, bashkëpunimi i Ndërmarrjes Pyjore me pushtetin vendor ka qenë tejet i dobët, për të mos thënë se nuk ka funksionuar fare", thotë inxhinieri Hasa. Policia pyjore ka sekuestruar gjatë këtij viti 70 metër kub lëndë drusore, nga e cila 50 metër kub janë dru zjarri dhe 20 metër kub lëndë pishe për ndërtim.