E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djegin makinën për të vjedhur 50 milionë lekë

Një vjedhje spektakolare ka ndodhur në fshatin Dronovic, të Rrethit të Beratit, ku një shtëpi ka rënë pre e grabitësve. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur rreth orës 22:30 të mbrëmjes së të martës, kur grabitësit duket se për të tërhequr vëmendjen i kanë vënë flakën makinës së Arben Dylit, ndërkohë që janë futur në banesën e vëllait të tij, Kujtim Dyli dhe i kanë grabitur 50 milionë lekë. Burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se një makinë, tip "Mercedes Benz", e ndodhur në oborrin e shtetasit Arben Dyli, është përfshirë nga flakët. Ndërsa të dyja familjet janë vënë në panik dhe kanë shkuar menjëherë për të fikur zjarrin, pasi shtëpitë e dy vëllezërve ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës. Duket se kjo ka qenë mënyra më e mirë për grabitësit, të cilët kanë vënë në alarm familjet dhe në kohën që të gjithë janë marrë me shuarjen e zjarrit, kanë hyrë në banesën e Kujtimit, që punon si kambist, ku dhe kanë marrë shumën e lekëve që ndodheshin në dhomën e gjumit. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila ka kryer hetimet e para për të identifikuar autorët e ngjarjes. Mësohet se autorët e vjedhjes ende nuk janë identifikuar, ndërkohë që policia tha se dy ngjarjet: djegia e makinës dhe vjedhja, kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›