E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, nxjerrja e pllakave dëmton vendburimin e Bogovës

Prej 5 ditësh banorët e qytetit të Beratit kanë ngelur pa ujë pasi në rubinete vjen ujë i turbullt dhe me mbetje dheu. Kjo ndodh sipas banorëve pasi në zonën Tampon, në pjesën lindore të fshatit Novaj të rrethit të Skraparit, punohet për nxjerrjen e pllakave të gurit. Zona e Sirakës është përcaktuar nga një grup pune nga Ministria e Ambientit me dy ministritë e tjera si ajo e Bujqësisë dhe Ekonomisë, mbi fshatin Bogvë nga lagja Siraka deri tek përroi i Borovicës, por që aktualisht sipas burimeve nga zona vazhdojnë të punojnë 600 punëtorë për nxjerrjen e pllakave. Po në këtë zonë punojë 8 skrepa si dhe hidhen në të gjithë pllajën e fshatit Novaj prej më shumë se 1000 ha tokë, 300-400 mina në ditë nga të cilat 50% e tyre hidhen në zonën tampon. Kjo e fundit shfrytëzohet sepse ka pllakë me cilësi të mirë, tre ngjyrëshe dhe i ka në thellësi. Në ditë nga kjo zonë mbushen dhe transportohen pllaka për në tregjet perëndimore dhe të vendit 50 -60 makina të tonazheve të rënda. Gropat nga ku nxirren pllakat kanë shkuar deri në 20-30 metër thellësi me një sipërfaqe prej 200-300 m katror, çka bën që të grumbullohet uji dhe balta duke u filtruar deri tek burimi i Bogovës nga ku furnizohen dhe 180 mijë banorë deri në qytetin e Beratit. Dëmtimi i sipërfaqeve në zonën tampon, ku aktualisht është burim i ujit që furnizon dy bashki dhe disa komuna të rrethit të Beratit, ka sjellë turbullirën e ujit, e cila këtë radhë ka zgjatur 5 ditë dhe ende vazhdon me të njëjtën cilësi të papërdorshëm. Deri tani askush nga pushteti lokal nuk ka reaguar, për përmirësim të ujit të pijshëm. Gjithashtu as drejtues të komunës së Bogoës dhe as nga institucionet në qytetin e Beratit. Ndërsa ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve në qytetin e Beratit pas ankesave të qytetarëve ka ndërhyrë duke kërkuar largimin e firmave që të mos vazhdoj kriza e ujit të pijshëm. Për zgjidhje të problemit vazhdon me procedura ligjore për të ndalur sa më shpejt këtë situatë të rëndë në rrethin e Beratit. Qytetarët të shqetësuar nuk përdorin ujin as për përdorim ditor të nevojave të ndryshme shtëpiake. Ndërsa për konsum uji të pijshëm i janë drejtuar dyqaneve për të blerë ujë të ambalazhuar. Duke përfituar me këtë rast tregtarët kanë shitur 5 litra ujë me çmimin 80 lekë, ndërsa 1.5 litra ujë me çmim 50 lekë. Duke qenë se gjithë banorët iu janë drejtuar dyqaneve, dje në shumë prej tyre nuk ka pasur bidona 5 litroshe dhe sipas banorëve kjo i detyron ata të blejnë me çmim të kripur 1.5 litra me 50 leke, gjë e cila ka sjellë dhe fitim tregtarëve që në këtë kohë krize I janë gëzuar situatës të ujit të turbullt që nuk dihet se sa do të vazhdoj për banorët e rrethit të Beratit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›