Berat, përurohet busti i Arben Zylyftarit
BERAT- Përurohet në Berat busti në nderim të ish-drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit, i cili ra në krye të detyrës, Arben Zylyftari. Dita e djeshme përkoi me 10- vjetorin, ku koloneli u vra në qytetin e Shkodrës. Aktiviteti kushtuar rënies së dëshmorit filloi me homazhet në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit. Të pranishëm ishin autoritetet vendore, drejtues të Policisë së Shtetit, të afërm e familjarë të tij. Pasi vendosën kurora në varrin e Arben Zylyftarit, ceremonia u zhvendos në sheshin e qytetit. Familjarët e të ndjerit dhe drejtues të policisë zbuluan bustin që ishte punuar me mjeshtëri nga skulptori Maksim Bushi.
Arben Zylyftari u vra në 2 gusht të vitit 2000 në lagjen “Guerile” të Shkodrës. Ai ra në krye të detyrës, gjatë një operacioni të policisë për arrestimin e një të shumëkërkuari. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mes këtij të fundit dhe forcave të rendit, mbeti i vrarë jo vetëm i kërkuari, por edhe koloneli Arben Zylyftari. d.xh