E Diel, 1 Nëntor 2026

KURBIN- DURRES/ Mbytet italiani dhe një 46- vjeçare



KURBIN- DURRES- Mbytet në lumin e fshatit Skuraj në Kurbin një 25- vjeçar, shtetas italian. Sipas policisë, në afërsi të tunelit të rrugës është mbytur duke u larë në lumë, Andrea Ruatola. Ai kishte qenë në shoqërinë e një grupi miqsh bashkëkombas të tij dhe shtetas shqiptarë, të cilët kishin organizuar një piknik. Nga të dhënat paraprake, si dhe nga dëshmitë e dëshmitarëve në vendngjarje, dyshohet se mbytja ka qenë aksidentale. Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet. Një shtetase tjetër është bërë viktimë e mbytjes në ujë ditën e djeshme në Durrës. Sipas policisë, gruaja 46- vjeçare, A.Driza, është vetëflijuar duke u mbytur në ujërat e një rezervuari. Mësohet se viktima vuante prej kohësh nga depresioni dhe kishte tentuar edhe më parë vetëvrasjen, pasi ishte divorcuar.

FIER/ Plagoset me thikë pronari i Exchange-it
FIER- Plagoset me thikë pronari i një Exchange-it, teksa tentuan të kryenin grabitje në pikën e këmbimit të parave. Viktimë e këtij agresioni mbeti shtetasi Etem Spahia. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ndodhi në mes të ditës në qytetin e Fierit. Personat ende të paidentifikuar janë futur në dyqan dhe kanë urdhëruar pronarin e saj t’u dorëzonte të gjitha paratë që ai kishte në atë moment, por pronari Spahia u ka barë rezistencë. Për këtë shkak, autorët e kanë goditur atë me thikë duke e lënë të plagosur rëndë. Policia mbërriti në vend dhe ndihmoi të plagosurin, duke e transportuar menjëherë në spitalin e qytetit për shkak të plagëve. Ai i pohoi grupit të hetimit se nuk kishte mundur t’i njihte personat që u futën në dyqan. Policia e Fierit bëri të ditur se ka nisur hetimet, ndërsa po punohet për identifikimin edhe mbi bazën e disa gjurmëve të gjetura në vendngjarje.

FIER/ Digjet nënstacioni, disa fshatra pa energji
FIER- Përfshihet nga flakët nënstacioni elektrik i Drenovës në zonën e Mallakastrës. Nënstacioni 110 kilovolt është djegur plotësisht, duke lënë pa energji shumë fshatra dhe zona të naftës së Albpetrolit. Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe një grup hetimor, por ende nuk është përcaktuar shkaku i këtij zjarri. Sipas të dhënave të para, mësohet se ngjarja mund të ketë ndodhur si rezultat i amortizimit të këtij nënstacioni. Banorë të zonës kanë treguar se flakët fillimisht janë parë në një prej pjesëve elektrike dhe më pas është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm. Në momentin kur shpërthyen flakët, në shërbim pranë nënstacionit ka qenë një specialist i OSSH-së. Tashmë e gjithë zona po vuan mungesën e energjisë elektrike, ndërkohë që specialistë të OSSH-së deklaruan se dritat mund të mungojnë edhe për disa ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›