Berat, pezullohet rikonstruksioni i ish-Maternitetit
Pas debateve të shumta është pezulluar rikonstruksioni i godinës së ish-Maternitetit në qytetin e Beratit. Mëngjesin e djeshëm, drejtues të Inspektoratit rajonal të Ndërtimit dhe Urbanistikës, të mbështetur dhe nga forcat e Policisë së Rendit dhe ato Bashkiake, kanë ndërhyrë në ndërtesë për të ndërprerë punimet, duke nxjerrë jashtë saj edhe punonjësit. Kreu i këtij inspektorati, Bardhyl Buba, i ka cilësuar si të jashtëligjshme punimet për ndërtimin e një universiteti privat nga biznesmeni dhe ish-kandidatit republikan në zgjedhjet e qershorit, Astrit Veliaj. “Po thyhet ligji. Pa plotësuar dokumentet marrin leje për të rikonstruktuar ndërtesën e Maternitetit“, - tha Bardhyl Buba.
Nga ana tjetër, pronari i tokës së ndërtesës së ish-Maternitetit, sot një godinë e privatizuar në rikonstruksion e sipër me perspektivë për universitet privat, tha se ky veprim po kthehet në politik dhe se çdo gjë është konform rregullave. Debatet për Maternitetin e vjetër nisën pas privatizimit të tij muaj më parë dhe nisjes së rikonstruksionit. Vetëm 3 ditë më parë, deputeti socialist Erion Braçe akuzoi qeverinë “Berisha” se qëndron pas procedurave, në interes të përfitimeve familjare.
10 Nentor 2009