Banda e Durrësit, përplasje mes avokatëve dhe prokurorëve, po devijohet nga objekti i gjykimit
Laureta Rryçi
Procesi ndaj bandës së Durrësit në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka hyrë në një tjetër fazë. Tashmë “timonin” e procesit e kanë marrë avokatët e të pandehurve, të cilët, gjatë seancave në vazhdim do t’i drejtojnë pyetje të penduarit të kësaj çështjeje, Adriatik Coli. Burime pranë kësaj gjykate pohuan dje për gazetën “Albania” se pas dy javësh shkëputje, seanca e djeshme nuk ka nisur mbarë. Të njëjtat burime shpjeguan se dje është shënuar një tjetër përplasje mes avokatëve dhe prokurorëve të çështjes. Shkak, sipas përfaqësuesve të akuzës, është se avokatët po tentojnë ta devijojnë procesin nga objekti i gjykimit. Ndërkohë që mendim të kundërt kanë avokatët, të cilët për disa orë me radhë kanë “kryqëzuar” dje më pyetje të penduarin, duke vështirësuar më tepër pozicionin e tij, sesa të klientëve që kanë.
Debatet
I penduari i bandës së Durrësit, Adriatik Coli, ka hedhur dritë gjatë seancës së djeshme për tri vrasje të tjera të anëtarëve të kësaj bande. Kaq ka mjaftuar për të shkaktuar debate të ashpra mes avokatëve dhe prokurorëve. Në deklaratat e tij të radhës para trupit gjykues, Adriatik Coli ka bërë të ditur se në dëshminë e tij para prokurorëve ka zbardhur vrasjet e shtetasve Ali Kërtusha, Dorjan Sema dhe Ledion Keci, që, sipas tij, janë kryer nga anëtarë të bandës së Durrësit, por Prokuroria nuk i ka përfshirë ato në dosjen e dërguar për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Avokatët mbrojtës të anëtarëve të bandës së Durrësit kanë akuzuar Prokurorinë se nuk ka dhënë të plotë dëshminë e Adriatik Colit. Ndërkaq, prokurorët e kanë justifikuar këtë fakt me pretendimin se këto ngjarje janë ende në hetim, duke qenë se nuk ka autorë konkretë, dhe për këtë arsye nuk është përfshirë në dosjen e përcjellë në Gjykatë. Pas këtyre debateve Gjykata ka ndërprerë dëshminë e të penduarit Adriatik Coli, për ta vijuar atë në seancën e ardhshme.
Pyetjet
Në seancën e djeshme, të parëve për të bërë pyetje u ishte dhënë leja avokatëve të Lulzim Berishës. Burime që ishin prezente në sallën e gjyqit treguan se pyetjet e tyre më tepër flisnin për pozicionin e të penduarit në krimet e kryera ndër vite nga kjo bandë, sesa për implikimin e Lulzim Berishës. Ky i fundit, i cilësuar prej Prokurorisë si kapoja i kësaj bande, që ka dhënë urdhra për vrasje apo për trafiqe të ndryshme. Me gjithë pyetjet e avokatëve, mësohet se i penduari nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me thëniet për Berishën.
Box
Prokuroria: Banda e Durrësit, akuza për shumë vrasje
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën për anëtarët e bandës së Durrësit për një sërë vrasjesh. Prokuroria për Krime te Rënda, më datë 03.04.2005, ka regjistruar procedimin penal nr.35 për veprat penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasit Klodjan Saliu, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda” dhe “grupit të strukturuar kriminal të parashikuar nga nenet 78 – 25, 278/4 dhe 333/a të K. Penal. Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, më datë 09.03.2006, pasi ka rifilluar hetimet dhe ka regjistruar procedimin penal nr. 34 në lidhje me ngjarjen e datës 17.10.1998, ku ka mbetur i vrarë shtetasi Dritan Sallaku dhe janë plagosur Ilir Nela dhe Agim Rexhepi, dhe ky procedim penal i është bashkuar procedimit penal nr. 35 të vitit 2005. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 506 në lidhje me ngjarjen e datës 29.10.1998 në lidhje me vrasjen e shtetasve Viron Curri, Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, si dhe procedimin penal nr. 274 në lidhje me ngjarjen e datës 10.07.2000 në lidhje me vrasjen e shtetasit Dritan Disha. Zinxhiri i vrasjeve për të cilat akuzohet kjo bandë shkon edhe më tej.
Të pandehurit
Lulzim Berisha
Plaurent Dervishaj
Indrit Taullai
Endrit Dokle
Kujtim Buna
Altin Olloni
Elvin Hoxhosmani
Alban Neli
Selman Heti
Spartak Kalthi
Altin Nikolla
Kristian Begu
Bujar Gashi
Dritan (Adriatik) Coli
Ahmet Ajetis
Osman Karpuzi
Sardian Sulejmani
10 Nentor 2009