E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet mbushin hidrocentralet, Shqipëria nis nga eksporti i energjisë



Ervin KOÇI

Situata energjetike në vend është përmirësuar ndjeshëm gjatë tre ditëve të fundit, ku shkak për këtë janë bërë reshjet e shumta të shiut që po bien në zonat veriore dhe verilindore të vendit. Këtë fakt e pa pranuar dje dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Leonard Beqiri, i cili ka pasuar deklarimet e një dite më parë të kreut të METE-s, Dritan Prifti, i cili deklaroi se Shqipëria ka nisur nga eksporti e energjisë elektrike dhe depozitimi i saj në Kosovë. Por dje numri dy i METE-s, ka garantuar se situata energjetike në vend është shumë e mirë dhe se ajo do të jetë optimale edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit. Ai ka bërë me dije se Shqipëria ka nisur të depozitojë energji në vendet e rajonit, si në Kosovë ku deri tani janë depozituar 2.5 milionë kilovat/orë energji. Dy ditë më parë Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, inspektoi nga afër Hidrocentralin e Vaut të Dejës për të parë situatën hidrike pas shirave të ditëve të fundit. "Hidrocentrali i Vaut të Dejës është duke punuar me kapacitet të plotë dhe të gjitha turbinat janë në punë. Ka pasur prurje rreth 600 metra kub për sekondë. Kemi dhënë porosi që importimi i energjisë elektrike të shkojë drejt zeros. Kemi kontaktuar kompanitë e huaja që gradualisht të mbyllet importi për këtë periudhë, ndërsa kemi filluar nga sot eksporte në nivelin 2.5 milionë KW/h në ditë"- tha ministri Prifti. Sipas tij, ka mundësi që gjatë ditëve të ardhshme sasia ditore e energjisë së eksportuar të dyfishohet.

Situata

Reshjet e shiut të ditëve të fundit kanë ndikuar pozitivisht për garantimin e rezervave energjetike në vend. Ministri i Ekonomisë, Prifti, thirri dje në një takim urgjent përfaqësuesit e shoqërive energjetike OSSH-ë, OST-ë, KESH dhe organet drejtuese të METE-s, për të trajtuar situatën e krijuar nga reshjet e shumta. Reshjet e fundit masive kanë rritur nivelin e Fierzës në 284 metra mbi nivelin e detit, saktësisht 12 metra nën nivelin maksimal. Duke vlerësuar situatën si delikate për shkak të reshjeve të shumta dhe në zbatim të “Rregullores së Shkarkimit të Plotave në Hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës”, ministri Prifti, urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm pune për monitorimin 24 orë të situatës hidroenergjetike në vend. Ekspertët e energjetikës thonë se, mundësia që Fierza të arrijë pikën maksimale mbetet e ulët, dhe i konsiderojnë këto masa të Ministrisë së Ekonomisë si paraprake për të mos qenë të papërgatitur në rast të një situate të jashtëzakonshme.

Grupi i punës

Grupi i punës i ngritur në METE me urdhër të ministrit Prifti, kryesohet nga zëvendësministri Leonard Beqiri, i cili funksionon dhe ka për detyrë: a) Të analizojë pa ndërprerje gjatë 24 orëve, deri në normalizimin e gjendjes, situatën e plotave në hidrocentralet e lumit Drin dhe të informojë dhe propozojë vendime në përputhje me “Rregulloren mbi shkarkimet e plotave në hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës”. b) Të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme furnizimin me energji elektrike të stacioneve të hidrovorëve dhe të propozojë masa për zgjidhjen e problemeve të krijuara. c) Të kërkojë mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të ngritur në zbatim të kësaj rregulloreje, për situatat që janë në kompetencën e këtij komisioni, ku raporton për situatën dhe propozon masat për mënyrën e shkarkimit të plotave në hidrocentralet e lumit Drin. Gjithashtu ky grup pune do të informojë Ministrin e Ekonomisë, çdo një orë dhe Kryeministrin çdo 4 orë mbi situatën.

10 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›