E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet e varur në pemë adoleshentja, mister motivet



POGRADEC – Mbrëmjen e së shtunës është zhdukur pa thënë asnjë fjalë nga shtëpia e saj për t’u ndarë përgjithmonë me familjarët e saj. Vajza 16-vjeçare, e cila prej kohësh ishte mbyllur në vetvete, nuk ka lënë asnjë mesazh, por, sapo ka rënë errësira, ka lënë pragun e derës për t’i dhënë fund jetës. Deri në orët e para të mëngjesit të së dielës askush s’e ka vënë re mungesën e saj, por kur kanë filluar kërkimet, trupin e saj e kanë gjetur të varur në një pemë. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Velçan të rrethit të Pogradecit. Familjarët kanë parë në orën 6:00 të ditës së diel trupin e varur të vajzës së tyre, M. H., në një pemë, e cila ndodhej jo shumë larg banesës. Burimet policore pohojnë se adoleshentja mund t’i ketë dhënë fund jetës gjatë natës në rrethana depresioni, por ata nuk përjashtojnë as pistat e tjera. Nga ekzaminimet e bëra në trupin e së miturës nuk janë gjetur shenja dhune. Shtetasja M. H. ka lindur në Krujë dhe banonte në fshatin Velçan të Pogradecit bashkë me familjen e saj. Policia dyshon se adoleshentja është vetëvarur gjatë orëve të natës. Një pistë e tillë është hedhur pas dëshmive që kanë dhënë familjarët, të cilët janë treguar të rezervuar përsa u përket pistave të tjera të kësaj ngjarjeje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se janë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe të dhënat flasin për një vetëvrasje. Sipas tyre, dosja për këtë rast i ka kaluar ditën e hënë Prokurorisë së Pogradecit, e cila po ndjek me vëmendje të gjitha pistat e mundshme që sollën vdekjen e adoleshentes.

10 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›