Vjedhjet dhe grabitjet në kryeqytet çojnë në pranga 9 persona
TIRANË – Edhe kjo fundjavë ka qenë e mbushur plot me grabitje të dhunshme dhe vjedhje në kryeqytet, ku shumica e protagonistëve janë të mitur. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës raportojnë se gjatë 48 orëve të fundit janë ndaluar të paktën 9 shtetas nga Tirana dhe rrethe të ndryshme, pasi akuzohen për vjedhje dhe grabitje të kryera në bashkëpunim. Sipas tyre, policia ka zbatuar urdhrin e ndalimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shtetasit F. L., 16 vjeç, lindur dhe banues në Shkozë, Tiranë dhe Erton Nezir Hykollari, 19 vjeç, lindur në Lezhë dhe banues në Shkozë Tiranë, i proceduar më parë për vjedhje. Ata dyshohet se kanë kryer të paktën 4 vjedhje gjatë tre muajve të fundit. Nga një hetim intensiv u bë i mundur dokumentimi ligjor i këtyre vjedhjeve, ndërkohë që në lidhje me grupin kriminal po punohet për identifikimin dhe kapjen e tjerë bashkëpunëtorëve në këto vjedhje. Nga strukturat e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorëve të disa vjedhjeve të ndodhura në juridiksionin e këtij komisariati. Nga puna hetimore e bërë u arrit të identifikohen autorët e mitur, të cilët dyshohen të jenë shtetasit A. Ç. dhe A. M., respektivisht 12 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Këta dy të mitur dyshohen se kanë realizuar vjedhjen e një banese ku kanë marrë 12 000 euro dhe një aparat dixhitalb. Po ashtu u dokumentua implikimi i tyre edhe në vjedhjen e një biçiklete, ku rezultoi se autorët kanë hyrë në banese nëpërmjet derës, të cilën e kanë dëmtuar dhe më pas kanë arritur të vjedhin një biçikletë në pronësi të një shtetasi.
Gjithashtu, policia u ka vënë prangat shtetasve I. Q., 14 vjeç, lindur dhe banues në Krujë dhe E. Gj., 15 vjeç, lindur e banues në Laç. Arrestimi i tyre shtetasve u bë sepse dyshohen se në bashkëpunim edhe me një bashkëmoshatarin e tyre, i kanë marrë me dhunë një shtetaseje varësen e floririt, vjedhje kjo e ndodhur në një nga zonat e populluara të kryeqytetit. Forcat e rendit kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Liman Xhaferr Pallhasi, 36 vjeç, banues në Bathore, i dënuar më parë për vjedhje.
Po për konsumim të veprës penale të vjedhjes shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Renald Tomorr Tahiri, 24 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Arrestimi i tij u bë sepse dy ditë më parë dyshohet se në Rrugën e Kavajës ka tentuar të vjedhë kasën e parave të një dyqani pastiçeri, në pronësi të një shtetaseje. Tri ditë më parë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.6 Tiranë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Bujar Petrit Perci, 36 vjeç, lindur e banues në Elbasan. Arrestimi i tij u bë për arsye se në Sharrë është kapur në flagrancë duke tentuar të vjedhë magazinën (materiale ndërtimi) e një firme private. Arrestimet u realizuan pas shumë sinjalizimeve nga banorët se grabitjet ishin bërë të shpeshta.
Tentuan të boshatisnin një pus nafte, pranga dy të rinjve
FIER - Dy të rinj janë arrestuar ditën e diel nga policia e Fierit pasi u kapën duke derdhur në tokë një sasi nafte. Burime nga policia thanë se Arben Nurka, 20 vjeç dhe Lefter Zyka, 18 vjeç, u arrestuan pasi akuzohen për veprën penale të “shkatërrimit të pronës”. Sipas policisë, dy djemtë kishin shkuar në sektorin naftëmbajtës dhe pikërisht në pusin e naftës nr. 854, kanë hapur saraçineskën e këtij pusi dhe për pasojë është derdhur në tokë një sasi nafte bruto. Veprimi i tyre është konstatuar menjëherë nga punonjësit e naftëmbajtëses, të cilët lajmëruan policinë. Forcat e policisë kryen kapjen në flagrancë dhe arrestimin e dy djemve.
Braktisin drogën në kufi me Malin e Zi, zhduken në errësirë
MALËSI E MADHE – Ka tentuar disa herë që të kalojë në errësirë me ngarkesën e drogës mbi shpinë, duke përfituar nga koha e keqe dhe errësira, por ka dështuar. Një trafikant që po bëhej gati për të kaluar në territorin malazez ka lënë çantën me Cannabis sativa në vend dhe është zhdukur. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se vetëm 200 metra larg pikës kufitare të Hanit të Hotit në Malësinë e Madhe kanë gjetur dhe sekuestruar 9 kg Cannabis. Patrulla e Policisë Kufitare, sapo e ka konstatuar personin e paidentifikuar që lëvizte në drejtim të vijës së kufirit, i është vënë pas, por pa mundur ta kapte dot e duke arritur të sekuestrojë vetëm thesin që ai braktisi për t’ia mbathur. Pas veprimeve hetimore u konstatua se në thesin e braktisur ndodheshin gjithsej 9 kilogramë lëndë bimore në gjendje të thatë, e ngjashme me Cannabis sativa, të ndara në 9 pako me nga një kilogram peshë secila. Nga ana e policisë u kryen veprimet e duhura procedurale e hetimore dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj vepre penale, ndërsa materiali do t’i dërgohet Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”.
Dy të rinj shpallen në kërkim për plagosje
ELBASAN – Dy të rinj janë shpallur në kërkim policor për arsye se i kanë dalë përpara një shtetasi duke e plagosur me thikë dhe më pas janë larguar. I dëmtuari është shtetasi Rakip Pisha, 44 vjeç, lindur e banues në lagjen “Haxhias” në Elbasan. Ai ka bërë kallëzimin në polici më datë 7 nëntor, ora 08:00 për shtetasit Almir Lloshi dhe Urim Muça. Sipas dëshmisë, 44-vjeçari Pisha ka qenë duke shkuar për në shtëpi dhe në lagjen “28 Nëntori” i kanë dalë përpara disa persona të paidentifikuar, ku pas një debati për motive të dobëta e kanë goditur në trup me mjet të mprehtë të llojit (thikë) dhe pas veprimit të kryer autorët e ngjarjes janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur. Burimet policore sqarojnë se Rakip Pisha ndodhet jashtë rrezikut për jetën pasi mori ndihmën mjekësore në Spitalin kirurgjik Elbasan. Policia shpalli në kërkim për veprën penale të plagosjes së kryer në bashkëpunim shtetasit: Almir Alfons Lloshi, 23 vjeç, lindur e banues në lagjen “28 Nëntori”, i dënuar më parë për veprën penale të “vjedhjes” dhe shtetasin Urim Haki Muça, 25 vjeç, edhe ky i dënuar më parë për vjedhje.
Prangoset në Romë për vjedhjen e italianit në Shqipëri
TIRANË - Arrestohet në Romë një 25-vjeçar i kërkuar nga Policia shqiptare. Policia e Shtetit njoftoi dje se është arrestuar në Itali me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë i kërkuari Dritan Brahilika, 25 vjeç, lindur në Burrel. Mësohet se 25-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, më datë 22 maj të vitit 2006, ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të “vjedhjes së kryer në bashkëpunim”. Dritan Brahilika akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin Argent Brahilika, më datë 21 mars të vitit 2006, i ka vjedhur një sasi prej 6000 dollarësh kanadezë shtetasit italian N. M.
10 Nentor 2009