Prangoset me armë në brez, i dyshuari për vjedhje makinash
TIRANE- Arrestohet një 41-vjeçar, me profesion shofer mallrash, i dyshuar si autor i disa vjedhjeve të automjeteve në Tiranë, ndërsa në momentin e arrestimit, policia i bllokoi një armë zjarri pistoletë. Enver Stafuka, 41 vjeç, nga Fushë- Kruja, u arrestua dje në mesditë nga policia e kryeqytetit, me akuzën e vjedhjes së automjeteve dhe të armëmbajtjes pa leje. Burime nga policia thanë se Stafuka, dyshohet të jetë autor i vjedhjes së një numri të konsiderueshëm mjetesh, të cilat janë ende në verifikim. "Gjetja e disa bizhuterive të çmuara të cilat ndodheshin brenda në një automjet të vjedhur më datë 27 janar të këtij vitit që ka çuar policinë te 41-vjeçari nga Fusha-Kruja" thanë për "Shekullin" burimet e policisë. Automjeti i markës "Mercedez- Benz", ku ndodheshin një sasi bizhuterish me vlerë të konsiderueshme u vodh më 27 janar në rrugën "Ferit Xhajko" në kryeqytet. Pas denoncimit të pronarit të saj, policia nisi hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët, ndërsa pronari kishte deklaruar se në mjetin e tij kishte bizhuteri me vlerë. Pikërisht këto sende janë gjetur, nga policia në një argjendari në qytetin e Fushë-Krujës. Pas këtij zbulimi, hetuesit kanë marrë në pyetje personin që posedonte bizhuteritë, i cili kishte deklaruar se ato i kishte blerë nga Enver Stafuka. Ky u kap mesditën e djeshme, ndërsa gjatë kontrollit fizik, agjentët dhe oficerët e policisë i kapën një armë zjarri pistoletë në brez. Policia arrestoi në flagrancë Stafukën, me akuzat e "armëmbajtjes pa leje", "vjedhjes së automjeteve". Hetuesit e cilësojnë Stafukën, me gradën "mjeshtër", në vjedhjet e automjeteve, ndërsa sipas tyre provat e plota për të akuzuar Stafukën për krime të tjera ende mungojnë. "Mendohet se ai mund të jetë autori i vjedhjeve të automjeteve të ndryshme në Tiranë kryesisht në zonën e "Medresesë" dhe në Laprakë pranë Spitalit Ushtarak", thanë për "Shekullin" burimet e policisë.