E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion kundër makinave me xhama të zinj dhe kundër tabela

Policia rrugore ka startuar aksionin kundër makinave me xhama të zinj dhe atyre që gjenden me kundërtabela pa autorizim përkatës. Prej dy ditësh efektivat e komisariatit të policisë rrugore në Tiranë janë instaluar në kryqëzime dhe në rrugët kryesore të kryeqytetit me qëllim evidentimin e mjeteve të ndryshme që lëvizin, me xhama të zinj, me kundërtabela, apo që konstatohen me shkelje. Deri ditën e djeshme, policia ka mundur të bllokojë rreth 46 automjete të cilat, pasi ishin me xhama të zinj si dhe 25 automjete kanë kryer shkelje administrative. Burimet e policisë pohuan se shumica e mjeteve të bllokuara, apo të gjetura me xhama të zinj, pa autorizim, apo me kundërtabela pa autorizime, iu përkasin institucioneve të ndryshme shtetërore. Operacioni drejtohet nga shefi i qarkullimit rrugor i Tiranës, Artan Osmani, ndërsa janë angazhuar edhe punonjësit e Patrullës së Përgjithshme. Burime nga policia thanë se operacioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim dhe ka për qëllim parandalimin e aksidenteve, pasi kundravajtësit janë edhe burimi i ngjarjeve rrugore. "Ka rreth dy ditë që në qytetin e Tiranës dhe në rrethinat e tij janë organizuar pika kontrolli, ku objekti i punës sonë është parandalimi i aksidenteve rrugore si dhe ndëshkimi i kundravajtësve që janë burimi i aksidenteve. Aktualisht janë bllokuar 15 automjete për mungesë dokumentacioni, ndërsa puna vazhdon",- u shpreh dje për mediat shefi i qarkullimit rrugor në Tiranë Artan Osmani. Burime nga policia thanë se shumë automjete janë bllokuar pasi ishin të pajisura me xhama të zinj, makina këto luksoze të cilat lëviznin lirshëm në kryeqytet. Ndërsa rreth 25 makina janë bllokuar nga policia rrugore pasi kanë kryer shkelje të qarkullimit rrugor.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›