Postet e Sejdiut në gjykatë: “Nuk po e shkel Kushtetutën”
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u është kundërpërgjigjur 31 deputetëve që e kanë hedhur çështjen e postit të tij në Gjykatën Kushtetuese, se nuk ka dëshmi që vërtetojnë se ai po shkel Kushtetutën. 31 deputetë kosovarë kërkuan të premten një interpretim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mbajtjen e dy posteve prej Sejdiut, atë të kreut të shtetit dhe atë të kreut të Partisë LDK. Nisma ishte e deputetit të pavarur në Kuvendin e Kosovës, Naim Rrustemi. Edhe pse Presidenti Sejdiu, që nga zgjedhja e tij në postin e kreut të shtetit, e ka ngrirë funksionin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ky veprim i tij, sipas deputetëve nënshkrues, nuk e arsyeton “shkeljen e Kushtetutës nga ana e Presidentit”. Sejdiu tha se është e drejta e deputetëve të kërkojnë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. “Unë them se ushtroj funksionalisht rolin, pozitën e Presidentit të vendit dhe e kam të pezulluar që të ushtroj atë që më vihet barrë, rolin e kryetarit të LDK-së, në kuptimin efektiv, absolutisht. Prandaj, nuk mund të ketë asnjë dëshmi të drejtpërdrejtë që më vë barrë në këtë aspekt”, ka thënë Sejdiu. Ish-deputeti i PDK-së, tani deputet i pavarur, Naim Rrustemi, tha se Sejdiu e ka shkelur Kushtetutën. “Bisedimet që bëhen në emër të LDK-së, në çështjet që kanë të bëjnë me vendimmarrjen, zhvillohen nga ana e Sejdiut”, tha ai. Sipas tij, shkelja e Kushtetutës nga ana e Presidentit të vendit po jep një shembull të keq dhe po minimizon thirrjet e tij drejtuar të tjerëve për respektimin e Kushtetutës së Republikës. Në Kushtetutën e Kosovës shkruhet se “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës” dhe se ai “nuk mund të mbajë asnjë funksion tjetër publik”. Por është Gjykata Kushtetuese që do të sqarojë përfundimisht nëse është bërë shkelje apo jo e Kushtetutës së Kosovës nga ana e kreut të shtetit.