E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnjë, përdhunohet 9-vjeçarja



LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

Shkon për të blerë bukë në dyqanin e fshatit, mashtrohet dhe përdhunohet 9-vjeçarja nga Kolonja e Lushnjës. Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës së diel, kur një 42-vjeçar pasi i ka dhënë disa para në dorë e ka tërhequr vajzën disa metra larg, drejt pyllit të Ardenicës.
E mitura, e cila jeton me vëllanë e motrën në shtëpinë e gjyshërve, pasi prindërit punojnë në Greqi, ka dalë rreth orës 13:30 nga shtëpia. Por ajo është kthyer 2 orë më vonë, në gjendje të rëndë fizike dhe psikologjike. Vajza me inicialet M.Sh., pas mjekimit në spitalin e Lushnjës është transportuar me urgjencë për në QSUT, ku është vënë nën kujdesin e një stafi të specializuar mjekësh. Autori i dhunës seksuale dyshohet të jetë banori i një fshati 4 km nga Kolonja, i cili është arrestuar nga policia. Dëshmia e dhënë nga e mitura mbi pamjen e maniakut ka çuar forcat e policisë së Lushnjës në një kontroll të imtësishëm të personave të ngjashëm, duke përfunduar në fshatin fqinj, Babunjë. Aty kanë gjetur shtetasin F.K., 42 vjeç, me të dhënat e denoncuara nga fëmija, duke e vënë në pranga me akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura.
Sipas familjarëve të vajzës, ngjarja ka ndodhur rreth mesditës të së dielës. Gjyshja e ka nisur mbesën për në dyqanin e fshatit, por ajo nuk po kthehej. "U nis për në dyqan dhe u vonua. Nuk e dinim ku ishte, por menduam se po luante me shoqet, prandaj nuk e kërkuam. Vetëm kur na erdhi një fqinj i fshatit bashkë me vajzën, e cila po qante. Vajza më tha që një burrë rreth moshës 40 vjeç e kishte marrë prej dore dhe i kishte dhënë 4 mijë lekë të vjetra. Më pas, ai i ka thënë të shkonin bashkë deri në një vend pranë kodrave të fshatit, pasi ai nuk e njihte mirë këtë vend. Sapo vajza është ngjitur me të mbi rrugën e fshatit, personi që vajza nuk e njihte e kishte tërhequr me dhunë duke e çuar në pyllin e Ardenicës pranë kodrinës, ku e ka përdhunuar". Sipas gjyshes, vajza ka në trup shenja të dukshme dhune. Pas kësaj, bashkë me gjyshin e mbesës i janë drejtuar policisë, e cila bëri shoqërimin e të miturës për në spital, ku është vërtetuar rasti i përdhunimit. Pritet që i dyshuari për këtë ngjarje të japë versionin e tij, por deri në mbrëmje ai nuk ka dhënë ndonjë dëshmi. Sipas policisë, ai mbetet i dyshuar, deri në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së rëndë. I prangosuri është beqar, por mësohet nga komisariati i Lushnjës se nuk ka precedentë të mëparshëm penalë. Ndaj tij policia ka përgatitur dosjen me dyshimet e saj, duke ia përcjellë prokurorisë për hetime të mëtejshme. Grupi hetimor i Prokurorisë së Lushnjës do ta marrë në pyetje 42-vjeçarin, të cilit i është dashur të bëjë një rrugë të konsiderueshme për të arritur deri në fshatin Kolonjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›