E Diel, 1 Nëntor 2026

Islandë, Kryeministrja inauguron e para martesën homoseksuale



Kryeministrja e Islandës ishte e para që inauguroi martesën gei pas aprovimit të ligjit në vendin e saj, duke kurorëzuar lidhjen disavjeçare me të dashurën e saj, shkrimtaren dhe skenaristen, Jonina Leosdottir. Kryeministrja, Johanna Sigurdardottir u martua me Leosdottir gjatë fundjavës, menjëherë pasi hyri në fuqi ligji për celebrimin e martesave homoseksuale. Ligji i ri, sipas të cilit të gjithë kanë të drejtë martese, pavarësisht nga gjinia, u aprovua nga Parlamenti islandez më 11 qershor me 49 vota pro dhe asnjë kundër. Sipas televizionit publik “Ruv”, Sigurdardottir u martua pa organizuar ndonjë ceremoni të veçantë. Kryeministrja Sigurdardottir, 68-vjeçare, erdhi në pushtet në shkurt të vitit 2009. Prej disa vitesh ajo jeton me Ledsdottir, e cila është rreth 50 vjeç. Martesa e Kryeministres islandeze shënon rastin e parë të ekspozimit publik mbi homoseksualizmin të kreut të ndonjë shteti. Sigurdardottir është një nga politikanet më të vlerësuara në Islandë, por edhe në Europë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›