Berat, punimet në rrugë çajnë tubacionet, përmbytet lagja "Çlirim"
Me shumë probleme vazhdojnë punimet në rrugën hyrëse të qytetit të Beratit, që do të lidhet me urën e ngritur mbi lumin Osum në projektin e vazhdim ndërtimit të boshtit qendror jugor. Gjatë procesit të punës, tubacionet e ujërave të bardha, të zeza dhe një pjesë e atyre të pijshëm kanë pësuar çarje duke bërë që nëpër pallate të krijohet një përmbytje me përzierje ujërash me fekale.
Në lidhje me këtë problem, drejtori i ujësjellësit Fatmir Shehu deklaroi për gazetën "SOT" se në qytetin e Beratit ka shumë ndërtime dhe ndërhyrje që kanë prishur sistemin e ujësjellës kanalizimeve, çka ka bërë që tubat të çahen dhe ujërat të vërshojnë në rrugë apo dhe banesat e banorëve. Gjatë vazhdimit të hapjes së rrugës në lagjen Çlirim, gjendjen e paraqiti shumë të vështirë zbatuesi i punimeve të kësaj rruge, Ermal Kondo, i cili theksoi se në projekt nuk janë parashikuar tubacionet e ujësjellës kanalizimeve. Për këtë, pritet që situatës ti jepet një zgjidhje nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujërave, të cilës i është dërguar një projekt preventim në lidhje me këtë problem. Po sipas Kondit, ky problem ka qenë i mbartur edhe më parë për banorët e kësaj zone, pasi tubacionet janë të amortizuara dhe në disa raste edhe jashtë përdorimit. Kondi ka pohuar se punimet vazhdojnë ndërsa për të eliminuar këto defekte që pengojnë dhe vazhdimin e punimeve në pjesë të rrugës, Kondi citoj se kanalizimet janë të bllokuara dhe të amortizuara edhe për arsye se ka shumë të lidhje të paligjshme, ndaj sipas tij duhet të marrë pjesë drejtoria e ujësjellësit, e cila duhet ti eliminojë këto lidhje për të mos pasur rrjedhje të vazhdueshme. Ndërsa banorët e kësaj lagjeje janë shprehur të shqetësuar për këtë problem, pasi sipas tyre çdo ditë nëpër këmbë kanë ujërat të përziera me fekale. Duke na shpjeguar se kolektorët kanë qenë edhe me parë të bllokuar, gjendja është vështirësuar me shumë pas fillimeve të punimeve të rrugës ku është bërë dhe çarja e shumë tubacioneve.