Berat, sherr i përgjakshëm për një vajzë, një i vdekur

Komisariati i Policisë Berat
Grinden djemtë, baballarët përleshen me thika. Dy të plagosur.
Djemtë grinden për një vajzë, baballarët përgjaken me thika. Një sherr mes dy të rinjsh për një gjimnaziste ka përfunduar me një konflikt fatal mbrëmjen e djeshme në fshatin Poshnjë të Beratit. Dy palët në konflikt janë hasur në të njëjtin lokal, por në vend që të zgjidhnin grindjen e djemve, kanë nxjerrë armët. Gëzim Protoduari, 48 vjeç, mbeti i vdekur në vend, ndërsa u plagos rëndë i biri 20-vjeçar, Sako dhe i vëllai, Eduart Protoduari.
Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Mësohet se anëtarët e familjes Protoduari dhe dy vëllezër të familjes Ibrahimi, Besnik dhe Bedri, kanë nisur një grindje në lokalin e Poshnjës, fillimisht për motive banale. Mësohet se pak ditë më parë, djali i Gëzim Protoduarit dhe ai i Besnik Ibrahimit ishin rrahur mes tyre pas një konflikti për hir të një vajze gjimnaziste, të cilën e ngacmonin të dy. Grindja e dy djemve të rinj është pasuar me përballjen e dy baballarëve, të cilët kanë nisur debatin e mbrëmshëm, fillimisht në distancë e më pas deri në përdorimin e thikave. Sipas Policisë së Beratit, dy vëllezërit Ibrahimi kanë qëlluar në drejtim të tre personave të tjerë. Nga plagët e shumta, 48-vjeçari Gëzim Protoduari nuk ka mundur t’i shpëtojë vdekjes. Goditjet e thikës kanë bërë që dhe i biri i tij të përfundojë në spitalin e Beratit në gjendje kritike. Ai ndodhet në kirurgji, ku i është nënshtruar ndërhyrjes nga mjekët specialistë. Ndërsa vëllai i viktimës, Eduart Protoduari, pasi ka marrë mjekimin e nevojshëm, është larguar për në shtëpi dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore, të cilat, pas këqyrjes së zonës ku ndodhi krimi, kanë identifikuar menjëherë autorët, të cilët u shpallën në kërkim. Policia bëri të ditur se janë vënë në ndjekje të Besnik Ibrahimit, 44 vjeç dhe vëllait të tij 48-vjeçar, Bedri Ibrahimi. Ata janë identifikuar si autorë të vrasjes dhe plagosjes së ndodhur në Poshnjë. Për këtë është marrë dëshmia e të vëllait të viktimës, i cili ka qenë i lënduar më lehtë dhe të personave që ndodheshin në lokal në momentin kur ndodhi sherri i përgjakshëm. Dyshimet e Policisë janë për një ngjarje që kishte si shkak konfliktin e disa ditëve më parë mes dy djemve, ndonëse hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të saj.
BERAT/ DILAVER XHELILI