E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë e pashlyera, arkitekti i jep fund jetës me pistoletë

SHKODER – Arkitekti i jep fund jetës duke u vetëvrarë me armë zjarri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme, në lagjen Qemal Stafa, në Shkodër, kur 47-vjeçari Anol Dedja i ka dhënë fund jetës, duke u qëlluar me një plumb në kokë në banesën e nënës së tij. Sipas burimeve policore mësohet se një veprim i tillë i 47-vjeçarit, arkitekt i njohur në qytetin e Shkodrës, ka ardhur në një moment të gjendjes së rënduar psikologjike dhe depresive. Kanë qenë fqinjët të cilët kanë dëgjuar të shtënat e armës dhe kanë vrapuar ti japin ndihmën e parë. Pas kësaj, ata kanë njoftuar policinë dhe urgjencën, por çdo gjë ka rezultuar e kotë, pasi plaga e marrë në kokë i ka shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Anol Dedja kishte punuar vite më parë në profesionin e tij si arkitekt pranë Zyrës së Urbanistikës në Bashkinë e Shkodrës. Vitet e fundit Dedja kishte hapur një aktivitet privat si arkitekt dhe mendohet se shkaku që e ka çuar në vetëvrasje ka qenë gjendja depresive e krijuar për shkak të detyrimeve të mëdha financiare. Mësohet se Dedja kishte marrë kredi për të hapur biznesin e tij privat në fushën e ndërtimit, të cilat nuk po i shlyente. 47-vjeçari Anol Dedja ishte babai i dy fëmijëve të mitur dhe kishte një status shoqëror të nderuar. Policia ka marrë në pyetje familjarët dhe fqinjët e tij, për të mësuar më shumë mbi motivet e kësaj vetëvrasjeje. Kjo ngjarje ka tronditur opinionin publik shkodran, nisur dhe nga fakti që viktima, falë kontributit të tij profesional, gëzonte një reputacion mjaft të mirë në qytetin e Shkodrës. r.rr

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›