E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet kreu i pronave në qark, dhunoi këshilltarin e rojën

Flamur Buzi në spital

FIER – Vetëdorëzohet 10 ditë pas shpalljes në kërkim policor drejtori i pronave në Këshillin e qarkut të Fierit. Ahmet Krasniqi u akuzua për “plagosje të lehtë” dhe “goditje për shkak të detyrës”, pasi përfunduan në spital për shkak të dhunës Flamur Buzi, këshilltar i qarkut Fier, si dhe Alket Sulaj, roje në godinën e qarkut. Pasi ka dhënë dëshminë për ngjarjen, Prokuroria i ka komunikuar Krasniqit hetimin në gjendje të lirë. Mësohet se 46-vjeçari nuk ka pranuar të ketë qenë autor i drejtpërdrejtë i dhunimit të këshilltarit të qarkut dhe rojës. Ai ka pranuar se shkak i ngjarjes ishte detyra e tij, por më pas kishin qenë vetë të plagosurit që janë përfshirë në debat e dhunë me Edmond dhe Agron Krasniqin. “Nuk doja të ndodhte, ishte e papritur. Gjithçka ndodhi nga gjaknxehtësia, por nuk kam qëlluar ndaj tyre. Jam munduar ta shmang ngjarjen dhe të mos i qëlloj. Aq sa kam gjuajtur ndaj tyre, ka qenë vetëm për vetëmbrojtje, por nuk kam pasur iniciativë sulmi ndaj tyre”. Kështu mësohet se është shprehur në polici kreu i pronave në qarkun e Fierit. Ai u akuzua për plagosje të lehtë, pasi edhe ekspertiza mjekoligjore pas ekzaminimit të dhunës së dy të plagosurve i ka klasifikuar plagë të lehta. Burime nga Prokuroria bënë të ditur që, për shkak se Krasniqi nuk paraqet rrezikshmëri të largohet nga vendi, atëherë është vendosur që të ndiqet në gjendje të lirë. Kreu i qarkut, Artu Shehu, deklaroi dje se Krasniqi është me raport gjatë këtyre ditëve, por ai do të kthehet sërish në detyrë. Ndërkaq, dy autorët e tjerë të ngjarjes, Edmond dhe Agron Krasniqi, janë në kërkim. Ngjarja për të cilën kreu i pronave dhe dy të afërmit e tij u shpallën në kërkim, ndodhi më 15 mars në katin e tretë të godinës së qarkut. Flamur Buzi shkoi të merrte një vërtetim pronash, në të cilin duhej edhe firma e kryetarit. Por ai nuk ka pranuar të njohë firmën e dhënë nga kryetari i sapoemëruar, Ahmet Krasniqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›