Bulqizë, asfiksohen 2 minatorë

Dy minatorët në spital
I lënduari: Shpërtheu gazi karbonik. Duhet të vendosen tubat e ajrimit në thellësi.
Ngjarja, pas shpërthimit me dinamit brenda minierës.
Dy minatorë asfiksohen nga gazrat në nivelin e 13-të të minierës së kromit në Bulqizë. Destan Koxha, 47 vjeç dhe Ymer Konesha, 57 vjeç, janë dërguar në spitalin e Bulqizës, ku në orët e pasdites gjendja e tyre shëndetësore ka ardhur duke u përmirësuar pas ndihmës së dhënë nga mjekët. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 08:20, në momentin kur dy minatorët kanë nisur punën për pastrimin e frontit të punës dhe krijimin e mundësive për avancimin e galerisë së nivelit të 13-të. Dy minatorët janë gjetur pa ndjenja në fundin e galerisë dhe janë dërguar shumë shpejt në spital, ku u është dhënë ndihma e parë mjekësore. Minatori Destan Konesha tha dje për “Panoramën” se në 27 vjet të punës së tij si minator nuk ishte ndjerë më keq. Në një intervistë ai tregon momentet e ngjarjes, derisa e ka parë veten në spital.
A mund të kujtoni momentet e fillimit të punës dhe çfarë ndodhi me ju?
Si çdo ditë, rreth orës 07:00 nisëm të hynim në galeri me ashensor. E dinim se ditën e premte kishim bërë shpërthime me dinamit në galerinë ku ishim caktuar të punonim. Nga eksperienca në minierë, e dimë se pas shpërthimeve me dinamit nga materiali me inerte çlirohet gaz karbonik, mjaft i dëmshëm për shëndetin e njerëzve. Sapo mbërritëm në frontin e punës, nisëm të spërkasim me ujë materialin e prodhuar nga shpërthimi me lëndë plasëse. Unë dhe Ymer Konesha nisëm punën të parët, ndërkohë kolegët e tjerë ishin prapa nesh. U thashë kolegëve ta lëmë punën se po nuhas gazra të shumtë. Shokët më thanë të vazhdonim punën. Pas pak minutash m’u morën mendtë dhe rashë përtokë. Kaq mbaj mend. Nga ky çast deri kur jam përmendur në spitalin e Bulqizës nuk kujtoj fare çfarë ndodhi me mua.
Kur u përmendët dhe kush u ndodh pranë teje?
Gruaja, tre fëmijët dhe njerëzit e afërm ishin tmerruar. Lajmi i dhënë në media kishte bërë që ato të mbërrinin shpejt në spital. Mjekët u kishin thënë se jeta ime ishte jashtë rrezikut, pas të fikëtit që kisha pësuar në minierë. Kur u përmenda pashë njerëzit e mi mbi kokë, por në krevatin pranë edhe shokun tim të punës, Ymer Konesha. Fëmijët ishin të trishtuar dhe qanin, por shpejt u qetësuan kur panë se isha më mirë. Me sa më thanë unë kisha rënë para Koneshës përtokë dhe kisha pasur luhatje serioze tensioni. Po ashtu kisha dhimbje të forta koke. Kam punuar 27 vjet në minierë dhe nuk më kishte ndodhur ndonjëherë një gjë e tillë. Jam mërzitur shumë se aksidentet në minierë vitet e fundit janë shtuar shumë.
Si një minator me përvojë, cilat mendoni se janë shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë?
Së pari, dihet se pas çdo shpërthimi me lëndë plasëse çlirohen gazra, sidomos gaz karbonik, i dëmshëm për shëndetin e njerëzve. Prej kohësh në këtë galeri është konstatuar mungesa e tubave të ajrimit. Vetëm vendosja e tyre mund të ndihmojë në largimin e tyre nga nëntoka dhe krijimi i lehtësirave për minatorët që punojnë në thellësi kaq të mëdha dhe në kushte shumë të vështira.
BULQIZE/ HASAN PASHA