E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, shkolla e fshatit Hingë rrezikon shembjen, nxënësit vijojnë mësimin në stallë

Ministria e Arsimit neglizhon gjendjen katastrofale të godinës së rrënuar  
Reshjet e shiut të ditëve të fundit kanë nxjerrë jashtë çdo funksioni shkollën e një fshati në rrethin e Beratit, ndërkohë që mësimi zhvillohet në një objekt të marrë me qira, dikur stallë e një fermeri. Godina e shkollës 9- vjeçare dhe të mesme në fshatin Hingë në komunën Poshnje është tashmë e papërdorshme sipas inspektorëve të Drejtorisë Arsimore dhe atyre të Shëndetit Publik. Zhvillimi i mësimit në ambientet e një shkolle që rrezikon shembjen nga çasti në çast ka vënë në alarm inspektorët, të cilët ditët e fundit kanë inspektuar ambientet e saj. Gjatë inspektimit të bërë ka rezultuar se përveçse shkolla nuk plotëson kushtet higjieno-sanitare, tavani i saj rrezikon shembjen. Probleme ka pasur me muret gjithë lagështi, mungesën e xhamave, dyerve dhe dritareve. Në këto kushte inspektorët kanë ndaluar kategorikisht vijimin e zhvillimit të mësimit në ambientet e kësaj shkolle, ku në fillimin të këtij viti janë regjistruar 600 nxënës të arsimit parashkollor, 9- vjeçar dhe të mesëm. Në këto kushte, që prej kësaj fillim jave shkolla nuk është hapur, ndërkohë që është vendosur marrja e një objekti me qira për zhvillimin e mësimit. Por objekti i vetëm që është gjetur në fshat, ka qenë një ish- stallë e një fermeri. Stalla, që dikur përdorej nga fermeri për rritjen e lopëve, është shndërruar në një shkollë për zhvillimin e mësimit. Objekti i vetëm i lirë në fshat, është ndarë në klasa të improvizuara me perde ku zhvillojnë mësimin 215 nxënësit e arsimit 9- vjeçar dhe 50 fëmijët e arsimit parashkollor. Drejtori i shkollës, Gramoz Bybashi shprehet se zhvillimi i mësimit në ambientet e stallës është zgjidhja e vetme për mosndërprerjen e mësimit. Kjo është parë si zgjidhja e vetme në kushtet ku në fshat nuk ka ambiente të tjera të lira, ndërkohë që alarmi për gjendjen e keqe ku ndodhej godina e shkollës ishte dhënë që prej 4 vitesh. Drejtuesit e shkollës, prej vitesh kishin ngritur zërin pranë Drejtorisë Arsimore për gjendjen jo të mirë të ambienteve të shkollës, gjendje e cila erdhi duke u rënduar nga viti në vit. Por, në lidhje me shqetësimet e ngritura nga drejtuesit e shkollës, burime pranë Drejtorisë Arsimore bëjnë me dije se Ministrisë së Arsimit i është kërkuar ndërhyrja për shkollën e fshatit Hingë, por mungesa e ndërhyrjeve bëri që godina e shkollës të rëndohej krejtësisht. Në këto kushte, nxënësit dhe mësuesit po përballen ditët e fundit me kushtet aspak të favorshme të zhvillimit të mësimit, në një godinë që dikur ka shërbyer si stallë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›