E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, shkurtohen 1 000 vende pune

PAPUNËSIA/ Në qytetin-muze rezulton se 20% e personave të aftë për punë janë të papunë


BERAT- Zyrtarisht në qytetin e Beratit është deklaruar për një rënie të shifrave të papunësisë, madje kjo gjë është theksuar edhe në analizën vjetore të institucionit të Prefektit, por realiteti është krejt ndryshe.


Ndonëse shifrat janë kontradiktore, vetëm për muajin janar deklarohet se janë shkurtuar rreth 1000 vende pune, ç'ka do thotë se efektet e krizës globale kanë nisur të ndihen edhe në familjet beratase.


Duke mos dashur të japin statistikë zyrtare, këtë fakt e pohojnë edhe vetë përfaqësuesit e Zyrës së Punës në qarkun e Beratit dhe ata të Drejtorisë së Statistikave, të cilët argumentojnë se shifra zyrtare është vetëm referencë e personave që kanë aplikuar si punëkërkues e që trajtohen me përkrahje sociale, dhe jo shprehje reale e numrit të vërtetë të të papunëve.

Informacion më të detajuar jep drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në Bashkinë e Beratit, Kadri Kuka, i cili pranon se numri real i të papunëve në qytetin e Beratit, me një popullsi rreth 64 mijë banorë është 3 apo 4-fish më i lartë se numri zyrtar që është deklaruar nga Zyra e Punës ose e thënë ndryshe, në këtë qytet numërohen si të papunë rreth 20%, e popullsisë së aftë për punë.

Në vijim, Kuka pohon se fenomeni i papunësisë është një plagë shumë e madhe për qytetin e Beratit, duke shtuar se, edhe pse shifrat zyrtare për vitin 2008 shënojnë një numër prej 4115 punëkërkues, kjo nuk pasqyron realisht numrin e të papunëve në qytetin e Beratit, pasi nga burime të tjera informale që nuk kanë lidhje me shifrat zyrtare, papunësia është 4 herë më e lartë se shifra e deklaruar.

Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Tatim-Taksave në bashki, armatës së të papunëve vetëm për muajin janar të këtij viti i janë shtuar edhe rreth 1000 punëtorë të 105 bizneseve të vogla, të mesme e të mëdha që falimentuan dhe mbyllën aktivitetin e tyre. \


Sipas drejtorit Kuka, ky fenomen ka prekur gati të gjitha moshat e afta për punë, ku më shumë dominojnë të rinjtë, që edhe pse mbarojnë studimet e larta, nuk kanë ku të punojnë.


Për këtë fenomen social, që prodhon çdo ditë varfëri, Kuka bën përgjegjëse qeverinë, e cila sipas tij nuk ka hartuar asnjë strategji për zbutjen e fenomenit të papunësisë, që jo vetëm është shtuar, por produkti i saj, varfëria, ka bërë që të shtohen pafundësisht listat e dyqaneve ku blihen artikujt bazë për jetesë, siç janë ata ushqimorë.

"Numri zyrtar i të papunëve që jepet nga zyra e punës apo ajo e statistikës për bashkinë e qytetit muze nuk është real, ajo është është shifër e maskuar prapa së cilës ka një realitet krejt ndryshe dhe shumë i hidhur.

Në vitin 2000, në zyrën e punës, me shpresën për t'u punësuar, janë regjistruar rreth 12 000 punëkërkues (ndërkohë që numri real ka qenë rreth 17 mijë), por kur panë se askush nuk u ofronte punë në sektorët privatë apo shtetërorë, ata nuk e kanë marrë më mundimin të riregjistrohen në vitet që pasuan.

Duke parë se shumë bizneze janë shpërngulur dhe të tjerë, për shkak të varfërisë kanë falimentuar, numri i të papunëve shtohet nga dita në ditë, dhe jo pakësohet, siç pohohet nga shifrat zyrtare,- përfundon Kuka.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›