Sherr në disko, një adoleshent plagos 3 vetë
VLORË/ Katër vetë janë vënë në pranga për shkak se nuk kanë pranuar të flasin për ngjarjen e ndodhur
VLORË - Tre persona janë plagosur dhe katër të tjerë janë vënë në pranga pas një sherri që ka zënë fill në një nga diskot e qytetit. Ngjarja ndodhi të dielën në një prej diskove që ndodhet në lagjen "4 Heronjtë" në qytetin e Vlorës. Siç bëjnë me dije burimet zyrtare të policisë, të arrestuar janë Arben Xhaferraj 25 vjç, nga Vlora, Ervin Memi, 25 vjç, nga Borshi, Klodian Hadëraj 26 vjç, nga fshati Kotë i Vlorës dhe Ermal Mehmeti 23 vjç, nga Vlora. Të rinjtë janë vënë në pranga me akuzën e "moskallëzimit të krimit", ndërsa në kërkim ndodhet një adoleshent, i cili është edhe personi që shkrepi armën.
Ngjarja
Alkooli i konsumuar në ambientet e diskos ka bërë që shtetasit Ervin Memi dhe Klodian Hadëraj të përfshihen në një debat me Ermal Mehmetin dhe Arbër Xhaferrajn, si dhe me një adoleshent me inicialet E.P.
Debati nuk është ndalur tek sherri brenda në disko, por të rinjtë, pasi janë nxjerrë jashtë nga shërbimi i sigurisë, kanë vazhduar. Kështu, në grindje e sipër, adoleshenti ka qëlluar me pistoletë në drejtim të personave. Plumbat kanë lënë të plagosur një 29-vjçar me inicialet K.I, një 26-vjçar me inicialet E.B, si dhe një vajzë 25 vjçe, e cila ishte shoqëruar me ta me inicialet L.H.
Sipas policisë, asnjë prej të plagosurve nuk kishte lidhje me ngjarjen, por në atë moment kanë qenë duke dalë nga ambientet e diskos dhe fatmirësisht nuk kanë pasur pasojë për jetën. Menjëherë pas kësaj autori i plagosjes ka lënë vendngjarjen, duke u larguar dhe aktualisht është i shpallur në kërkim.
Hetimi
Nga ana e policisë bëhet e ditur se shkak për sherrin ka qenë sasia e alkoolit të konsumuar. Disa prej njerëzve që kishin frekuentuar diskon të dielën, lanë menjëherë ambientet nga frika e konfliktit që kishte nisur, duke dalë jashtë diskos. Të pestë personat janë larguar nga ambientet nga ana e personelit që merret me sigurinë në disko.
Sherri i vazhduar jashtë, ka bërë që arma e shkrepur nga ana e njërit prej tyre të kapte persona rastësorë në sherr. Sipas policisë, po vijojnë përpjekjet për kapjen e personit i cili edhe ka qëlluar me pistoletë.
Katër të tjerët nuk i ishin larguar skenës ku u zhvillua ngjarja, as në momentin kur kanë mbërritur forcat e rendit, por fletë-arresti për ta u pre pasi nuk pranuan të japin versionin si rrodhën ngjarjet. Ndërkaq, mbi adoleshentin rëndojnë akuzat e "vrasjes në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtje pa leje". Në skenën e krimit janë gjetur 4 gëzhoja, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale dhe që i përkasin një arme tip pistoletë TT .